TikTok ka rifreskuar udhëzimet e saj të komunitetit me qëllim mbështetjen e mirëqenies së përdoruesve të saj. Disa nga ndryshimet në politikat e platformës dënojnë përmbajtjet që “reklamojnë” ushqimin në mënyrë të çrregullt dhe sfida virale shumë të rrezikshme.
Ditën e sotme kompania deklaroi se do të fshijë të gjitha videot që promovojnë sforcimin në stërvitje dhe agjërimin afatshkurtër. Përmbajtjet që promovojnë çrregullimet e të ushqyerit ishin të dënuara që më parë, por kësaj here do të kenë një filtrim më të përmirësuar.
“Ne po bëjmë këtë ndryshim, pas konsultimit me ekspertët e çrregullimit të të ngrënit, studiues dhe mjekë, pasi ne kuptojmë se njerëzit mund të vuajnë nga ndjekja e metodave jo të shëndetshme të ushqimit.” tha kompania në deklaratën e ditës së sotme.
Ndryshime të tjera të bëra në politikat e platformës përfshijnë dhe dënimin e ideologjive urryese dhe diskriminimin gjinor.
Kritikët e rrjetit social më të përdorur në botë kanë ngritur alarmin rreth sfidave të rrezikshme që po bëhen virale në TikTok. Prandaj kompania është siguruar që të krijojë një seri videosh me krijues të ndryshëm që do të ndihmojnë shikuesit të vlerësojnë përmbajtjen që shohin. Këto video do të shfaqen në #SaferTogether në Discovery page.
Në çerekun e tretë të vitit 2021 platforma arriti të fshinte 91 milionë video pasi shkelnin politikat e vendosura.