Drejtuesit e Barcelonës ishin të përgatitur për largimin e Lionel Mesit që kur përfundoi kontrata e tij me katalanasit dhe nuk ishte një surprizë e ditëve të fundit. Këtë e pranoi sot Mateo Alemani, drejtori sportiv i klubit, i cili bëri të ditur se situata ekonomike në të cilën gjendej Barcelona, e kishte kthyer në realitet diçka që nuk e donte askush.
“Largimi i Leo Mesit për fat të keq nuk ishte një surprizë, ishte realiteti i momentit. E vetmja mënyrë në të cilën ai të qëndronte te Barça ishte që Barça të bashkohej me diçka që ne nuk dëshironim t’i bashkoheshim. Ne vendosëm që klubi është mbi çdo person. Por kemi humbur shumë nga pikëpamja komerciale me këtë largim”, pranoi ai në një bisedë me disa studentë në një universitet në Londër.
Drejtuesi i katalanasve e cilësoi si një “katastrofë” nëse skuadra nuk do të kualifikohej në Ligën e Kampioneve në edicionin e ardhshëm. Por ai pranoi se ekipi ishte në rrugën e duhur. “Me këtë ekip as nuk e imagjinoj të mos klasifikohemi në Ligën e Kampioneve, Çavi po i bën gjerat shumë mirë në muajt e parë. Jemi shumë të lumtur me punën e tij”, tha Alemani.