Çfarë po ndodh me serrat e ngritura vite më parë nga të ardhurat e punës në emigracion? Pse fermerët e Lushnjës dhe Beratit po lënë investimet e tyre për të punuar sërish në emigracion? Bujqit tregojnë shqetësimet, që nga mospërballimi i rritjes 25% të kostos së prodhimit, që nisi me ndryshimet e skemës së TVSH në 2019, dhe shtrenjtimin vjet me 27% të çmimit të plastmasës, dyfishimin e çmimeve të inputeve bujqësore e deri te mosgjetja e tregut të shitjes që solli falimentimin e serave dhe rikthimin e tyre në emigracion.
Dorina Azo
Fatmir Ndoja, me origjinë nga Tropoja, investoi në vitin 2010 në fshatin Lunas të Lushnjës, 8 milionë lekë për blerjen e 30 hektarëve tokë bujqësore dhe ngritjen e një serre me sipërfaqe 5 dynymë, me të ardhurat e kursyera pas 11 vitesh punë në emigracion. Në serrë, Fatmir Ndoja kultivonte domate, tranguj, speca dhe bostan.
Në vitet e para, aktiviteti lulëzoi, ndërsa prej 3 vitesh, të ardhurat nga mbjellja e serave janë me humbje. Për shkak të shitjes së prodhimeve nën kosto, Fatmir Ndoja vendosi që këtë vit të mos kultivojë më perime në serrë, por të emigrojë në Gjermani për të punuar në ndërtim kundrejt pagës prej 15 euro/ora.
“Në 2010-n, të ardhurat e kursyera nga puna e emigracionit në Greqi dhe Belgjikë i investova në bujqësi. Investimi fillestar për ngritjen e serës kushtoi 4 milionë lekë. Për blerjen e tokës me sipërfaqe 35 ha, shpenzova 4 milionë lekë të tjera. Në vitet e para, fitimet vjetore nga prodhimi ishin të kënaqshme, arrinin deri në 15,000 euro.
Tashmë prej 3 vitesh vijojmë të prodhojmë perime dhe zarzavate me kosto të lartë, ndërsa i shesim me çmime nën koston e prodhimit. Kjo situatë na ka shkaktuar humbje të larta, të papërballueshme. Për këtë arsye kam vendosur të largohem përsëri në emigracion”, tregon fermeri nga fshati Lunas i Lushnjës, në bisedën e zhvilluar me revistën “Monitor