Rreth 510 miliardë lekë ose gati 4.2 miliardë euro kanë hyrë në arkën e shtetit vitin e kaluar, duke tejkaluar jo vetëm vitin 2020 ku të ardhurat u tkurrën ndjeshëm si pasojë e pandemisë, por edhe planin vjetor të financave
Kjo ecuri pozitive është ndikuar si nga të ardhurat tatimore ashtu edhe ato doganore.
Krahasuar me një vit më parë të ardhurat janë shtuar me gati 693 milionë euro më shumë, duke reflektuar gjallërimin e ekonomisë ku arkëtimet janë rritur thuajse në të gjithë zërat.
Rritja e importeve të mallrave të akcizës si dhe shtrenjtimi i çmimeve të tyre veçanërisht në pjesën e dytë të vitit ka bërë që doganat të mbledhin të ardhura rekord vitin e kaluar.
Sa i takon të ardhurave doganore, vetëm nga taksa e TVSH-së në import janë arkëtuar mbi 131 miliardë lekë, gati 30.5 miliardë lekë më shumë se në 2020, teksa arkëtimet nga akciza u rritën me mbi 7 miliardë lekë, duke arritur në total në më shumë se 420 milionë euro përgjatë vitit të shkuar.
Më shumë para tatimet taksës së konsumit, TVSH-së kanë mbledhur edhe nga taksat e punës, pasi arkëtimet nga tatimi mbi të ardhurat personale arritën në 39.3 miliardë lekë, rreth 46 milionë euro më shumë se në 2020.
Edhe të ardhurat prej kontributeve shoqërore e shëndetësore u rritën përgjatë vitit të shkuar më mbi 12 miliardë lekë më shumë se në 2020-në, si rrjedhojë e rritjes së pagës minimale, mbledhjes së taksave nga deklarimet vjetore të të ardhurave por edhe nga ecuria e punësimit.
Ndërsa shpenzimet publike kanë arritur në nivele rekord në 596.2 miliardë lekë në fund të vitit të shkuar, zë që ka rezultuar thuajse 491 milionë euro më shumë se në periudhën 2020.
Kjo ka bërë që pavarësisht ecurisë pozitive në të ardhura, niveli i deficit buxhetor të mbetet i lartë sipas të dhënave nga Ministria e Financave në rreth 85.8 miliardë lekë, ekuivalente me mbi 706 milionë euro.