Sipas një raportimi të ri nga Washington Post, punonjësit në disa dyqane të ndryshme të Apple kanë filluar të planifikojnë organizimin e një unioni pasi mendojnë se pagat e tyre vazhdojnë të mbeten të njejta dhe nuk janë përshtatur me inflacionin ndër vite.
Grupet e punonjësve nga 2 dyqane mendohet se po përgatisin shkresat e nevojitura për t’i dorëzuar në National Labor Relations Board, dhe më pas do të bashkohen dhe grupet e punonjësve nga 6 dyqane të tjera të Apple.
Aktualisht, kompania i paguan punonjësit në dyqane $17 – $30 në orënë varësi të rolit që ato kanë, mirëpo punonjësit kërkojnë një rritje të kësaj rroge. Operacionet e organizimit të unionit po bëhen në mënyrë tepër të fshehtë për të shmangur hakmarrjen e menaxherëve. Megjithatë në një nga dyqanet e Apple, menaxheri ka filluar të organizojë mbledhje mes punonjësve për t’i treguar se si organizimi në union do t’i dëmtojë ato dhe do t’i përkeqësojë rrogat.
Pagesat $17 – $30 në orë janë në nivel të njejtë me pagesat e punonjësve në dyqane të tjera, mirëpo Apple është një ndër kompanitë me përfitimet më të mëdha dhe prandaj punonjësit mendojnë se duhet të paguhen më tepër. Në disa nga këto dyqane ka patur mungesë të plotë të stafit në ditën e Krishtlindjeve në shenjë protestash.