Mbetet ende mister ekzekutimi i ish-ushtarakut Altin Alikaj në Vlorë. 47-vjeçari, dikur nënoficer në repartin ushtarak 2004 në Vlorë, u gjet i pajetë dje nga e ëma, pasi rezultonte i zhdukur prej 8 ditësh.
I çuditshëm mbetet fakti që Policia kërkoi kudo pas denoncimit për zhdukejn, vetëm në banesën e tij, jo.
Alikaj nuk rezultonte fare në Shqipëri, e dhënë kjo që mund të ketë shpërqëndruar efektivët e Vlorës, raporton Ora. Ai kishte ikur për në Kosovë, ndërsa dalja nuk ishte regjistruar në asnjë moment, ç’ka lë të kuptohet se është kthyer ilegalisht për arsye që nuk dihen. Megjithatë u kthye dhe u strehua në banesën e tij, ku do të gjente dhe vdekjen. Deri më tani, sipas rindërtimit të skemës së vrasjes nga grupi hetimor rezulton se vrasësi apo vrasësit, ende e paqartë se për sa persona bëhet fjalët.
Para se të hynte në banesë kishte helmuar qenin e fqinjit për të eliminuar çdo zhurmë. E jo vetëm kaq! Kishte prerë edhe energjinë elektrike, e më pas kaloi derën për të çuar deri në fund detyrën. I dhunuar me sende të forta e më pas i vrarë me një plumb, ish-ushtaraku nuk kërkoi dot kurrë ndihmë.
Ndërsa vrasësi u largua pa rënë në sy duke përfituar nga errësira që e kishte shkaktuar vetë, e i bindur që nuk do fiksohej as nga ndonjë kamera sigurie. Ndërkohë që trupi dekompozohej në shtëpi, i afërmi i ish-ushtarakut denoncoi në Polici zhdukjen, e nga ana tjetër nëna e të ndjerit u kthye nga Greqia e shqetësuar për humbjen e djalit të saj. E në momentin që hapi derën e banesës e gjeti të pajetë, duke u dekompozuar.
Tani hetimet kanë nisur për të mësuar se kush e donte të eliminuar ish-ushtarakun, ndërkohë që familjarë dhe banorë të zonës janë marrë në pyetje dhe kanë konfirmuar se Altin Alikaj ishte përdorues i lëndëve narkotike. Madje për t’i konsumuar herë pas herë futej në borxhe. Deri më tani kjo është një pistë që po ndiqet nga Policia, por nuk përjashtohen as të tjera lidhur me profesionin e tij por edhe me prishjen e pazareve të drogës.