Në vitin 2019 Isabella Khair Hadid, e njohur në publik si Bella Hadid, u shpall zyrtarisht femra më e bukur në botë sipas “Golden Ratio of Beauty”. Përmes një ekuacioni matematikor të quajtur “Beauty Phi”, që llogarit madhësinë e buzëve, hundës dhe pozicionin e mjekrës, tiparet e Hadid ishin më afër perfektes. Por si ia del supermodelja që të duket gjithmonë rrezatuese?
Sigurisht që për shkak të punës që bën i ndodh shpeshherë të reklamojë produkte të ndryshme bukurie, por sekreti i saj i preferuar është më i thjeshtë nga ç’mund të mendoni. Në një video të shkurtër të publikuar në Instagram-in e saj, Bella ka treguar se përpara seteve fotografike ajo e zhyt gjithmonë fytyrën në një enë me akull për disa minuta. Akulli ngushton enët e gjakut, si rrjedhojë ngushton poret, redukton rrudhat dhe e bën lëkurën të duket më e shndritshme dhe më rrezatuese.
Sikur të mos mjaftonte kjo, “terapia e ftohtë” redukton skuqjen dhe ënjtjen e lëkurës duke rivendosur funksionin normal qelizor. Kini kujdes, megjithatë, të mos e lini lëkurën në kontakt të tepërt me akullin pasi ekspozimi i zgjatur mund të shkaktojë djegie.