Ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca, ndodhet në një vizitë zyrtare në Beograd lidhur me garantimin e funksionimit të tregjeve ushqimore në rajonin tonë.

Ministrja Krifca dhe ministri serb i bujqësisë, Branislav Nedimovic, kanë konfirmuar hapjen e tregut dhe lëvizjen e lirë të grurit dhe misrit ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë.

Në kuadër të marrëveshjes Open Balkan, gruri dhe misri nga Serbia do të lëvizin lirisht në drejtim të tregut dhe konsumatorit shqiptar.

Një gjë të tillë e paralajmëroi dje kryeministri Edi Rama, i cili tha se do të futej në lojë diplomacia, për zhbllokimin e tregut të grurit dhe misrit. Sipas tij ky ishte momenti që Serbia do të duhej të tregonte se e mbështeste Ballkanin e Hapur.

“Në një takim me ministrin Nedimovic në Beograd patëm mundësinë të diskutojmë edhe njëherë marrëveshjen e Ballkanit të Hapur edhe në kushte në të cilat gjendemi tani dhe për të siguruar që kjo marrëveshje funksionon. Kontratat e lidhura tashmë për importin dhe eksportin e produkteve të ndryshme përfshirë atë të misrit apo të grurit do të vijojnë normalisht.

Ne garantuam njëri- tjetrin për një bashkëveprim dhe bashkërendim institucional të mirëkuptuar dhe është shumë e rëndësishme që kompanitë shqiptare do të kenë mundësi që kësaj jave do të mund të vijojnë biznesin e tyre normalisht për importet e grurit dhe misit. Ky është një shembull i mënyrës se si marrëveshja e Ballkanit të Hapur krijon lehtësira edhe në periudha shumë të vështira, për arsye të luftës”, tha ministrja Krifca.