Banorët e Laknasit kanë fituar gjyqin për moslejimin e ndërtimit të thertores, pranë banesave të tyre.
Ata kanë protestuar dhe kanë ndjekur proceset gjyqësore prej afro tre vitesh, dhe vendimi i sotëm i Gjykatës Administrative shënon edhe fitoren e tyre.
Ambientalisti Sazan Guri u shpreh se kjo është një fitore e madhe për të gjithë komunitetin, duke dëshmuar edhe për qytetarë të tjerë se bashkimi dhe rezistenca, mund të sjellin fitoren e kauzave.
Vendimi i ditës së sotme, i administratives, vendos moslejimin jo vetëm të ndërtimit të thertores, por edhe për projekte të mundshme në të ardhmen në zonë.
“Reagimi e çon edhe drejtësinë në hullinë e duhur, nuk mund të spekulojë më, kur evidenca është e qartë se kauza e komunitetit nuk mund të rrëzohet. Reforma po jep disa shenja pozitive, të jetë kjo një referencë për komunitetet e tjera që janë në situata të ngjashme. Komuniteti arriti të përballojë çdo mësymje, të palës agresore, ky është një mesazh për të gjitha komunitetet”, tha ambientalisti Lavdosh Ferruni.
Prej muajit shkurt të vitit 2019, banorët e Laknasit kanë protestuar kundër vendimit të Bashkisë Kamëz për t’i dhënë me qira pa konkurrim 12,400 m2 të sipërfaqes të zonës së quajtur “Plepat e Brukës”, kompanisë “Bioproducts” për të ndërtuar thertore.
Banorët e konsideronin këtë zonë si të vetmen hapësirë të gjelbër të mbetur pranë banesave të tyre, ku rezistenca ishte e vazhdueshme, edhe përballë punonjësve të policisë, të cilët u rreshtuan në krah të kompanisë private.
Laknasi përshkruhet nga lumi i Tiranës, degë e lumit Ishëm, i cili bashkë me rrjedhën sjell qindra kilogram plastikë në vit dhe ujë të ndotur me inerte.
Zona e quajtur “Plepat e Brukës” është mirëmbajtur nga banorët prej 30 vitesh, duke mbjellë në të pemë frutore e dekorative, si e vetmja mënyrë për të shpëtuar nga erozioni dhe cilësia e keqe e ajrit, shkaktuar nga ndotja e madhe e lumit.
(E.K/Faxweb.al)