Tubacioni Trans-Adriatik (TAP) nga Azerbajxhani ka eksportuar 10 miliardë metra kub gaz natyror në Evropë, nga të cilat rreth 8.5 miliardë shkuan në Itali gjatë 14 muajve që nga fillimi i tij, tha kompania këtë të enjte.
Lajmin e ndau me publikun shqiptar edhe ish-kryeministri Sali Berisha, duke e parë si një vjelje të fryteve të punës së qeverisë së tij.
Nisur dhe nga kriza energjitike pas luftës në Ukrainë, Berisha tha se ky është gazsjellësi i Europës pa gazin rus.
Berisha: Një arritje e madhe për Europën, arritje në të cilën Shqipëria dhe qeveria që unë kryesova luajti një rol përcaktues pas Azerbajxhanit dhe presidentit të atij vendi. Për të pasur të qartë rolin përcaktues të Shqipërisë, TAP mund të ishte TAP vetëm nëse kalonte në territorin e Shqipërisë, territor në të cilin gazi rus nuk mund të kalonte. U bënë përpjekjet më të mëdha për ta sabotuar atë sepse gjithçka bëhej që korridorin e jugut ta kapte Rusia. Kundërshti të mëdha në të gjitha vendet që kalonte gazsjellësi përveçse Shqipërisë u shfaqën në rritje. Për të eleminuar gazsjellësin TAP u krijua nga tre vendet fqinje një rrjet real dhe virtual që u quajt rrjeti i gazit Itali-Turqi-Greqi, real se ekziston në një lidhje të caktuar dhe në terësi është me gaz rus dhe virtual sepse gazsjellësi i Kaspikut kërkonte instalime të tjera shtesë të gazit por problemi ishte se gazi do ishte i përzier me gazin rus.
Berisha shprehu bindjen se TAP do ta çlirojë Europën nga varësia e gazit rus dhe do stabilizojë çmimin e energjisë.
Berisha: Ethet e gazit përfshinë gjithë Europën, kapaciteti i tij do rritet, do japë një çlirim të madh në çmimet e energjisë. Do ta shkruaj historinë e këtij gazsjellësi dhe atëherë do të kuptoni se cili ishte roli. Zoti i ka dhënë Shqipërisë një pozicion si të asnjë vendi tjetër në Ballkan.
Berisha përdori pikërisht këtë projekt madhor për t’u dërguar një mesazh dhe atyre që e shpallën non grata.
Berisha: Një mesazh për ata që shpallën Berisha për korrupsion non grata, i them mafies së George Soros që vetëm për TAP Sali Berishës i janë ofruar shumat më përrallore që mund të ofrojë kush por ai qëndroi në mbrojtje të interesave të vendit të tij dhe interesave europiane se isha i bindur se një darë gazi nga jugu dhe veriu i Rusisë ndaj Europës ishte lajmi më i keq për Europën dhe Shqipërinë. Oferta direkt nga Gazpromi.
I pyetur si po ecën procesi gjyqësor në Paris, ai u përgjigj.
Berisha: Nëse avokatit i kam lënë procesin gjyqësor, Sali Berisha merret me transparencën dhe sot kishte një rast që të rikujtoja atë që thashë.