Duket se publikimi i listave të kandidatëve për deputetë ka ndezur edhe ethet e forta të fushatës për zgjedhjet e 25 prillit.
Përgjatë ditës së djeshme të gjitha partitë kanë dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve renditjen emërore të personave që qytetarëve mund t’i besojnë votën e tyre, e duhet thënë se disa prej lëvizjeve kanë rezultuar të papritura për të gjithë.
Vetë krerët e partive e kishin qartësuar që më parë se ku do të mbanin zonat e tyre elektorale. Ndërkohë që tashmë gjithçka është zyrtare.
Kryeministri aktual Edi Rama ka zgjedhur dy qytete të mëdha bregdetare, ku risia e kësaj here është Durrësi. Ai i ka besuar gjithashtu edhe Vlorës, nga ku doli mori mandatin edhe në zgjedhjet e 2017, teksa është renditur i 8, si besim për të mbajtur të tëra këto vende deputetësh.
Ndërkohë kreu i demokratëve, Lulzim Basha është vetësiguruar që të jetë sa më pranë selisë, duke hedhur kandidaturën e tij në Tiranë dhe është renditur i pari, duke krijuar kështu një strategji ndryshe nga ajo e kundërshtarit të tij.
Të njëjtën strategji nga ana tjetër ka zgjedhur edhe aleatja e Bashës, kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi duke u renditur e para në lista. Gjithsesi Kryemadhi edhe më parë deklaronte se nuk do të mjaftohej me një qark. Dje zyrtarisht ajo arriti të merrte kandidaturën në tre qytete askap të lehta, Tirana, Fieri dhe Elbasani. Në këtë të fundit ka zhvilluar edhe fushatën e 2017.
Lista e PSD kryesohej nga vetë kryetari i Partisë Social Demokrate, Tom Doshi. Doshi kapërceu të gjitha vështirësitë dhe pengesat që iu vendosën për të mos e lejuar që të kandidojë, duke dorëzuar dje listat e kandidatëve për deputet në KQZ. Vetë Doshi do të kandidojë në Tiranë dhe në Shkodër.
Fatmir Mediu,kryetari i Partisë Republikane ka marrë një prej pozicioneve të sigurta në Tiranë, duke u renditur i 7 në radhë në listën e përbashkët me PD. Ndërkohë edhe aleati i tij nga PDIU, Shpëtim Idrizi e ndjek pas në vendin e 9 në kryeqytet.
Kryetari i Ballit Kombëtar Adriatik Alimadhi ka shfrytëzuar të gjitha hapësirat e lejuara nga KQZ dhe do të kandidojë në 4 qarqe, Tiranë, Berat, Fier dhe Korçë.
Ora news