Një investigim të bujshëm ka publikuar e përditshmja e Podgoricës ‘Pobjeda’, ku bën të ditur se Putin ka ngritur në Ballkan një “ushtri të fjetur” për ta përdorur në kohën e duhur. Madje ajo shkon edhe më tej, kur thotë se gjithçka është zhvilluar shumë afër Shqipërisë.
Sipas gazetës malazeze, projekti ka nisur që në vitin 2015, e bëhet fjalë për një armatë reale me njerëz që ishin gati të vdisnin për Putinin.
Ky organizim fshihej pas një shoqate që quhej: “Ushtria Kozake e Ballkanit”, për të cilën janë rekrutuar një sasi e madhe njerëzish të etnisë serbe dhe malazeze. Themelimi është zyrtarizuar më 12 shtator të vitit 2015 në Kotorr të Malit të Zi.
Siç shkruan ‘Pobjeda’: Organizimi i “Ushtrisë Kozake Ballkanike” në Mal të Zi, ishte vetëm një pjesë e aksionit të formimit të një rrjeti të ndikimit rus në Ballkan.
Që në vitin 2011 në Serbi, filluan të “shfaqen” shoqatat e para të kozakëve. Për këtë fenomen, ka shkruar në atë kohë edhe ‘BIRN’.
Në vitin 2013, pas zgjedhjeve në Bosnjë dhe Hercegovinë, u zyrtarizua ushtria e kozakëve, pikërisht në kohën kur fushata elektorale ishte në kulmin e saj. Disa analistë e vlerësuan ardhjen e Kozakëve si mbështetje e kandidaturës së Milorad Dodik për presidencën e Republika Srpska.
Një vit më pas, pikërisht në kohën kur Putin pushton Krimenë dhe dy “republikat autonime” të Donbasit, në media u shfaq Nikolai Dyakonov, kreu i “ushtrisë kozake ballkanike”.
Siç thekson ‘Pobjeda’, njeriu kyç i krijimit të kësaj ushtrie ishte Viktor Zaplatin, një veteran i luftërave në Transnistri në Moldavi dhe Abkhazi-Gjeorgji, i cili ka vizituar Beogradin dhe Sarajevën.
Emri i Zaplatinit u bë i njohur edhe për publikun malazez kur ai u zgjodh unanimisht komandant i “Ushtrisë Kozake të Ballkanit” në një tubim në Kotorr në 2016.
‘Pobjeda’ bën të ditur, se pjesëtarë të kësaj njësie paramilitare, ishin militantë të partive të djathta serbe në Bosnjë, Serbi e Mal të Zi.
Qëllimi i këtij zhvillimi ishte krijimi i një organizate që do të promovonte idetë e pansllavizmit, ortodoksisë dhe që do të ishte një lloj logjistike për politikën e Kremlinit në Mal të Zi.
Po siç thekson ‘Pobjeda’, takimet përgatitore janë organizuar nga Sllobodan Pejoviç, një politikan malazez me lidhje të forta me Kishën Ortodokse Serbe në këtë vend.
Fillimi i formimit të kësaj organizate paraushtarake ishte jashtëzakonisht konspirativ dhe gjithçka mbahej e fshehtë, për tu aktivizuar kur të vinte urdhri nga lart.
Anëtarë të kësaj ushtrie ishin luftëtarë të strukturave paramilitare të konflikteve në Bosnjë e Kosovë.
Por anëtarët e kësaj organizate, në mitingje nuk dilnin kurrë të armatosur. ‘Pobjeda’ thekson, se të gjithë të anëtarësuarve në “Ushtrinë Kozake të Ballkanit” ju premtua shtetësia e Federatës ruse. E ky premtim mblodhi shumë ekstremistë të djathtë serbë, rusofilë në mbledhjet e fshehta përgatitore.
‘Pobjeda’, thekson më tej, në investigimin e saj se, ideja bazë ishte që asnjë parti rusofile apo pro-serbe të mos ketë dominim brenda organizatës, për të mos u sulmuar nga qarqet ballkanike apo nga amerikanët.
“Na thanë të jemi ‘agjentë të fjetur’”, thekson për ‘Pobjeda’, anëtari i kësaj ushtrie, të cilin gazeta e Podgoricës nuk e identifikon. Sipas tij, ata duhet të aktivizohen vetëm me urdhrin e Vladimir Putinit. Po sipas tij, ata do të vepronin vetëm në Ballkan.
“Di t’ju them se të gjithë ishim gati të vdisnin për Putinin dhe Rusinë”, thekson për ‘Pobjeda’ burimi që identifikohet si anëtar i kësaj organizate.
E ky plan kishte mbështetje të fortë mediatike në disa vende të Ballkanit, ku do të paraqitej si “mbrojtja e Ortodoksisë nga NATO”.
Madje është financuar edhe një revistë me titullin “Kozak”, si dhe janë qepur uniforma të posaçme për këtë ushtri që janë paguar nga Sllobodan Pejoviç.
E pikërisht këtu është edhe fija lidhëse me shqiptarët dhe kryesisht me qytetin e Shkodrës. Pasi pikërisht në Guci u përkujtua ardhja e “rusëve të bardhë” në vitin 1917 në trevat shqiptare të Malit të Zi dhe në Shkodër, që ishte arenë e plotë e Luftës së Parë Botërore. Në aktivitetin e bujshëm në Guci, të gjithë ishin malazezë, përveç gjeneralit rus Zaplatin. E këto trupa shkuan edhe më tej në Berane, zona që banohen nga boshnjakët e shqiptarët, pikërisht ngjitur në kufirin e Malit të Zi, Shqipërisë dhe Kosovës.
‘Pobjeda’ thekson se “festa” në Berane u prish nga kreu i komunës, Dado Shçekiq, i cili ka paralajmëruar dhe ka dëbuar paramilitarët.
Pobjeda shkon edhe më tej në investigimin e saj, kur detajon se pikërisht në kufirin mes Malit të Zi dhe Shqipërisë, ushtria e kozakëve të Ballkanit planifikonte ngritjen e bazave të saj stërvitore.
Gazeta malazeze shkruan se plani është kryer nën hundën e dijeninë e plotë e shërbimit sekret malazez dhe qeverisë së Gjukanoviçit.
Burimi i Pobjeda-s thekson se TV Pink i Serbisë financohej direkt nga Moska dhe synonte të ngrinte një opinion për rrezikun që i vjen serbëve nga shqiptarët e NATO-ja. Plani u bë gati në vitin 2016 për të rrëzuar me dhunë Gjukanoviçin, i cili e futi vendin në NATO.
‘Pobjeda’ shkruan se uniformat kozake i ngjanin atyre të rusëve të bardhë që kanë hyrë në Plavë, Guci e Shkodër në vitin 1917.
Gazeta malazeze shkruan se Kremlini ka financuar edhe portalin malazez IN4S dhe pronarin e tij, Gojko Raiçeviç, i cili atëherë mburrej se kishte marrë “Urdhrinë e Kozakëve”. Madje ai publikoi edhe video ku shfaqeshin njerëz me uniforma kozake të luftës së Parë Botërore./ Pamfleti