Sipas raportimeve të fundit të publikuara nga Bloomberg, Apple po planifikon të shesë iPhone dhe iPad si pjesë e një shërbimi abonimi për hardware. Ky shërbim pritet të vijë gjatë vitit të ardhshëm.
Sipas këtij raportimi, fatura mujore që duhet të paguani për iPhone nuk do të jetë thjesht çmimi i kësaj pajisje i ndarë në 12 apo 24 muaj, por një shifër e pavendosur ende që do të ofrojë dhe upgrade-imin në pajisjet e reja kur ato të prezantohen. Dhe njësoj si të gjitha shërbimet e tjera, ajo do të jetë e lidhur me Apple ID, ku mund të bashkohen dhe abonimet në shërbimet Apple Care apo Apple One.
Kjo lëvizje i përshtatet fokusimit të Apple gjatë kohëve të fundit në shërbimet e abonimit. Apple ka reklamuar shumë programet ku përdoruesit mund të abonohen si Apple Music, Apple TV Plus, Apple News Plus, Apple Fitness Plus apo Apple Arcade, të cilat shërbejnë si një burim i ri të ardhurash për kompaninë. Shumica e këtyre shërbimeve ofrohen së bashku në Apple One.
Aktualisht ju mund të paguani çdo muaj Apple për të aksesuar shërbimet e saj, dhe çdo muaj për një iPhone, por këto pagesa janë të veçanta. Është e vështirë që të besohet se Apple do të “japë hua” një iPhone, ku ju mund të paguani për të patur një iPhone për 1 muaj, njësoj siç mund të paguani Netflix për të parë një serial për një muaj.
Dhe pse detajet janë shumë të pakta, është mjaft e qartë se ky është vetëm fillimi i ambicieve për shërbimet e abonimit të Apple.