Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola ka bërë thirrje ditën e sotme për një miratim të menjëhershëm të një pakete të re sanksionesh të forta kundër Rusisë, në mënyrë që vendimi i Moskës për të pushtuar Ukrainën të jetë gabimi më i kushtueshëm që Kremlini ka bërë ndonjëherë.
Duke iu drejtuar Parlamentit Evropian në Strasburg të Francës, Metsola tha se goditja ndaj ekonomisë së Rusisë “duhet të jetë proporcionale me mizoritë e paprecedentë që po shohim, duke shtuar se çdo sanksion i ri duhet të synojë ata që financojnë dhe mbështesin Putinin.
“Këto akte të koordinuara çnjerëzore nuk mund të mbeten pa përgjigje dhe se ne do t’i kërkojmë llogari të gjithë përgjegjësve. Imazhet e varreve masive dhe të civilëve të vrarë janë krime lufte, të kryera nga kriminelët e luftës”, tha Metsola.
Pas fjalëve të Metsola, ligjvënësit evropianë mbajtën një minutë heshtje për viktimat e Bucha, Irpin dhe të gjithë ata që kanë vdekur në konfliktin në Ukrainë.