Presidenti i Dinamos, Adrian Bardhi, ka mbetur tejet i zhgënjyer nga humbja me Egnatian, ku priste që skuadra e tij të fitonte dhe të shtonte shanset e mbijetesës. Por, situata u komplikua edhe më tej me një tjetër humbje dhe mbi të gjitha me një paraqitje shumë të dobët.
Dy ditë pas asaj humbjeje shokuese, numri një i klubit dinamovit ka qenë pak më i qetë, edhe pse nuk e fsheh aspak zhgënjimin nga të tijtë. Për “Panorama Sport” ai ka folur për gjendjen aktuale, masat e marra, shpresat e mbijetesës dhe të ardhmen.
ZHGËNJIMI – “Nuk di çfarë të them, nuk kam fjalë, sepse personalisht ia kam bërë shërbimin punës deri në fund. Zhgënjimi është shumë i madh. Më thoni ju… Me sa duket, në Shqipëri qenka problem të jesh korrekt në detyrimet e tua. Ua them me ndershmëri dhe sinqeritet se nuk më vret shpenzimi që kam bërë, nuk më vret fare ana financiare, për mua është zero. Me këtë që ka ndodhur është vrarë krenaria ime dhe e Dinamos. Kemi marrë masa për situatën e fundit, për lojtarët që kanë krijuar probleme në skuadër, ishte e pashmangshme. Tani të shohim. Dua që skuadra të jetë e qetë për ndeshjet që kanë mbetur, sepse kemi ende shanse. Shpresoj të qëndrojmë në Superiore dhe pastaj sigurisht që nuk mund të bëjmë kurrsesi ato gabime që kemi bërë”, është shprehur fillimisht presidenti Bardhi.
E ARDHMJA – Në lojë janë edhe 27 pikë, shanset matematikore të qëndrimit janë, por në radhë të parë blutë duhet të ndryshojnë rrënjësisht në fushë për të marrë ato rezultate që nevojiten.
“Ajo që unë mund të them me bindje të plotë është se nuk e lë Dinamon kurrë, ajo është pronë e imja, e familjes sime dhe gjithë dinamovitëve. Edhe sikur të bjerë nga kategoria, nuk heq dorë, për këtë të jeni të sigurt. Do të bëj superinvestim dhe jam i vendosur që ta ngre Dinamon në vendin që ajo meriton. Por le të shpresojmë që gjërat të ndryshojnë në këtë fazë të fundit të kampionatit”, ka përfunduar presidenti i Dinamos, Adrian Bardhi.
Panorama sport