Lufta e Rusisë në Ukrainë po e çon botën në prag të krizës ushqimore. Një ditë pasi Banka Botërore njoftoi se ekonomia ukrainase do të tkurret me 45 për qind këtë vit, kryediplomati i Bashkimit Europian, Josep Borrell paralajmëroi se bombardimet e Rusisë dhe pamundësimi i transportit të grurit si pasojë e bllokimit të porteve po krijon një valë tronditëse në kohën kur ekonomia globale po përballej me pasojat e pandemisë së koronavirusit.
Borrell foli pas takimit të zhvilluar në Bruksel mes Ministrave të Jashtëm të BE-së. Shefat e diplomacive europiane u dakordësuan për sanksione të reja kundër Moskës, por pa përfshirë sektorin e energjisë për shkak të niveleve të ndryshme të varësisë së shteteve anëtare nga gazi rus.
Sipas Borrell, “është e lehtë për disa shtete anëtare që nuk e përdorin gazin rus të thonë se janë të gatshëm të mos e përdorin e atë, por për të tjerët që varen gjerësisht prej tij, nuk është e lehtë”.
Ministrat u pajtuan se më shumë se sa për sanksionet kundër Moskës, Ukraina ka nevojë për armë.
“Liria, pavarësia dhe siguria e Ukrainës mund të mbrohet vetëm me armë. Prandaj të gjithë së bashku si Bashkim Europian, si miq të Ukrainës do të intensifikojmë dërgimin e armëve”, deklaroi ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock.