Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama për raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për Shqipërinë.
Kryemadhi thotë se peshku qelbet nga koka do të ishte përkufizimi shqip i raportit të DASH për vendin tonë.
Ajo thekson se raporti i DASH është skaner i arsyeve të krizës institucionale, ekonomike dhe të shpopullimit masiv, që ndikohen drejtpërdrejtë nga keqqeverisja e organizatës së strukturuar kriminale të inceneratorëve.
Deklarata e Monika Kryemadhit
“Peshku qelbet nga koka”, do të ishte përkufizimi troç e shqip i raportit të DASH për Shqipërinë. E kam lexuar me shumë shqetësim çdo gjetje, që nga zgjedhjet me probleme, korrupsioni në çdo qelizë të qeverisjes, mungesa e pavarësisë së gjyqësorit edhe pas reformës në drejtësi, e deri tek kufizimi i lirive e të drejtave themelore.
Përtej çdo justifikimi, raporti i DASH është skaner i arsyeve të krizës institucionale, ekonomike dhe të shpopullimit masiv, që ndikohen drejtpërdrejtë nga keqqeverisja e organizatës së strukturuar kriminale të inceneratorëve.
E kuptueshme që qeveria e fasadave nuk i pëlqen raportet faktike por deklaratat propagandistike, ndaj i ftoj të lexojnë edhe deklaratën e sotme që zyrtari i INL ka bërë në Tiranë për aferën e inceneratorëve dhe pastrimin e parave të pista në ekonominë e Rilindjes.