Prokurorët belgë prej ditësh janë instaluar në Elbasan. Ata vijojnë të kërkojnë gjurmët për vrasjen e Arjan Spahiut, shqiptarit që u vra në tokën e tyre dhe që ata për asnjë arsye nuk pushojnë së kërkuari vrasësit.

Prokurorët, të cilët vijnë për të tretën herë në Shqipëri, gjithnjë kanë në fokus pikërisht rivalët e viktimës së para dy viteve, i cili u vra në një atentat në Molenbeek.

Hetuesit e huaj kanë marrë një sërë dëshmish, të disa personave kyç, të cilët sipas tyre kanë dijeni për krimin dhe rrethanat e ngjarjes, ndërkohë që u tha se ata kanë ardhur të hetojnë për çështjen e Nuredin Dumanit.

Ndonëse Dumani, i mbijetuari i pritës së armatosur pak ditë më parë në Papër të Elbasanit, nuk është përfolur ndonjëherë si pjesëmarrës në atë ngjarje ku u vra Spahiu. Belgët pretendohet të jenë kthyer sërish tek Erjon Alibej, personi që gjendet në qeli për shkak se u dyshua si urdhëruesi i vrasësve të vëllait të tij, Endrit.

Ose të paktën ky ishte arsyetimi që bëri prokuroria ndërsa e solli në pranga Alibejn.

HETUESIT BELGË NË ELBASAN

Bëhet me dije se vrasja e Arjan Spahiut në Molenbeek ka risjellë për të tretën herë në Shqipëri një grup prokurorësh belgë. Në vizitën e parë, prokurorët e huaj morën në pyetje Erjon Alibej, i cili konsiderohet si kreu i një grupi kriminal që ka urdhëruar vrasjen e dy personave në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e vëllait të tij, Endrit Alibej, në masakrën e Bradasheshit, në dhjetorin e viti 2018.

Ndër të tjera, Alibej mendohet se iu ka pohuar hetuesve të huaj se ka dyshime që pas vrasjes së vëllait fshihet grupi kriminal i drejtuar nga një person që për Policinë tonë nuk është dhe aq i lakuar, Franc Çopja.

Ai thotë se ishte Arjan Spahiu, me të cilin kishte lidhje krushqie, që kishte siguruar informacion dhe të dhëna për vrasësit e vëllait të tij dhe, pas kësaj, ai u ekzekutua në Belgjikë. Nga të dhënat hetimore, bëhet me dije se belgët kanë marrë kontakt me homologët e tyre në Elbasan dhe kanë kërkuar informacion në lidhje me këto dy grupe rivale kriminale, të cilat u përplasën për trafikun e kokainës.

Ndërsa më herët, përmes një letërporosive, kanë kërkuar pyetjen e disa personave që kanë dijeni për vrasjet e ndodhura si pasojë e përplasjes së grupeve rivale, që zanafillën e ka nga zhdukja e një sasie kokaine në Britaninë e Madhe. Prej asaj kohe janë ekzekutuar më shumë se 10 persona nga të dyja grupet. Aktualisht Erjon Alibej ndodhet në burg dhe po përballet me drejtësinë për vrasjen e Emiljano Ramazanit e Regis Runajt.

Ndërsa nga kundërshtarët e tij ende nuk ka asnjë të arrestuar dhe se në kërkim, si i dyshuar për vrasjen e Endrit Alibejt, xhaxhait të tij, Arben Dylgjeri, dhe një shtetasi turk, është shpallur Mikael Qose, i cili mendohet se fshihet në Dubai.

NJË VIT MË PARË

Në fillim-majin e një viti më parë, tre hetues belgë mbërritën në vendin tonë. Bashkë me përfaqësues të Ambasadës së Belgjikës, ata ‘zbarkuan’ në Elbasan, gjashtë muaj pas vrasjes së 38-vjeçarit Arjan (Ardit) Spahiu, ngjarje e ndodhur më 27 nëntor të vitit të vitit 2020.

U tha se prokurorët kanë kryer takime me zyrtarë të lartë të Policisë dhe prokurorisë në Elbasan, për të zbuluar më shumë informacione për të shkuarën e Spahiut. E shkuara e 38- vjeçarit mund të çonte drejt zbardhjeve të konflikteve të vjetra dhe, për pasojë, drejt zbulimit të shkakut dhe personit që i mori jetën Spahiut mbrëmjen e 27 nëntorit në Bruksel. Grupi i hetuesve nga Brukseli ka qëndruar rreth

katër ditë në Elbasan asokohe.

Ardit (Arjan) Spahiu, 38 vjeç, banues në Elbasan, u ekzekutua me tetë plumba në një nga lagjet më të njohura në Bruksel, në bulevardin “Edmond Machtens”, pranë lagjes së njohur Molenbeek.

Spahiu vdiq në vend si pasojë e plagëve të marra nga plumbat. Viktima ka qenë i akuzuar 11 vjet më parë si organizator i vrasjes se Gëzim Alikajt, ngjarje e ndodhur në qytetin e Elbasanit, në afërsi të Urës së Zaranikës.

U tha se Alikaj dyshohej se kishte vrarë një të afërm të Arjan Spahiut, çka ka bërë që hetuesit belgë të dyshojnë se krimi ka ardhur si pasojë e hakmarrjes. Një tjetër pistë është edhe ajo e luftës mbi kontrollin e territorit për trafikimin e drogës mes grupeve kriminale shqiptare në disa qytete europiane.