Tre shqiptarë të cilët rrëmbyen një vajzë 23 vjeçare duke e detyruar të marrë kokainë dhe më pas duke e përdhunuar në grup janë shpallur fajtorë nga gjykata britanike.
Ngjarja ndodhi në Bedford në shtator të vitit të kaluar kur 23 vjeçarja angleze u njoh në një klub nate me 31 vjeçarin shqiptar Genti Hyka.
Kur vajza u nda nga miqtë e saj atë natë, ai u vu pas duke e rrëmbyer dhe duke e futur në makinën e tij. Ai e çoi vajzën në një garazh ku ajo u përpoq të kërkonte ndihmë por më kot. Më pas ai e mori në një shtëpi ku e prisnin dy bashkëpunëtorët e tij, shkruajnë mediat angleze.
Në shtëpinë e tij në Kempston, të tre shqiptarët e detyruan 23 vjeçaren britanike të merrte kokainë para se të përdhunohej prej Genti Hykës dhe shokët e tij, Ibrahim Bezati dhe Vullnet Haka.
Pas një gjyqi që zgjati për gati tre javë në Luton Croën Court, Hyka, Bezati dhe Haka u shpallën fajtorë për rrëmbim, mbajtje me forcë dhe katër akuza për përdhunim.
23 vjeçarja britanike arriti t’u shpëtonte tre shqiptarëve duke kontaktuar policinë dhe familjen e saj.
“Ky ishte një rast i tmerrshëm ku viktima ishte në shënjestër nga këta persona, të cilët e çuan atë në një ambient ku u mbajt kundër vullnetit të saj dhe u përdhunua në mënyrë të përsëritur. Viktima tregoi guxim të jashtëzakonshëm duke u përballur me agresorët e saj në gjykatë, edhe pse ata guxuan t’i mohonin akuzat. Dëshmia e saj ishte vendimtare për të siguruar provat që këta tre persona të përfundojnë pas hekurave për një kohë të gjatë”, u shpreh Det Con Hannah Latton, nga ekipi i policisë së Bedfordshire për rastet e përdhunimeve dhe abuzimeve të rënda seksuale.