Krijimin e një partie të re politike, Sali Berisha i faturon si ide Edi Ramës, duke hedhur poshtë çdo pretendim për një forcë të re politike nga ana e Komisionit të Rithemelimit. Sipas Berishës, ka qenë qëllimi i Ramës që të krijohen dy parti politike, por ka dështuar.
Ish-kryeministri u shpreh se tashmë Partia Demokratike është një opozitë e vërtetë.
“Unë jua kam bërë të qartë ju, se nuk ka dhe nuk mund të ketë. Qëllimi i Edi Ramës është të krijohen dy parti politike por ka dështuar dhe do dështojë. Nuk ka qëllim tjetër.
Ju them se të vendosur për të shqyrtuar çdo pretendim në përputhje me stautin e partisë, të vendosur për të krijuar cdo hapësirë të mundshme ligjore për procesin e bashkimit, kjo parti nuk mund të zvarritet nga askush. Tashmë PD është një opozitë e vërtetë”, tha Berisha.
Berisha e konsideroi Alibeajn si bashkëpunëtor të ngushtë të Edi Ramës, ndërsa duke komentuar platformën për bashkimin e PD-se tha: “Natyrisht me urdhër të Edi Ramës, institucionet e narkoshtetit janë të afta të bëjnë gjithçka. Për këtë arsye, detyrohem t’i them Alibeajt se nuk je më kryetar i grupit parlamentar. A mund të pretendohet të paraqesë një platformë, bashkëpunëtori i ngushtë i Edi Ramës, në mënyrë antikushtetuese. Së dyti, unë vlerësoj qëndrimet e deputetëve të PD-së, shqetësimet për zhvillimet nga baza në qendër. Por ka një parim themelor, grupi parlamentar është grupi i PD-së. Deputetët e PD-së janë ose do jenë sipas statutit të ri, anëtar të Këshillit Kombëtar”.