Një shqiptar 26 vjeçar është dënuar me 4 vite burg në Francë, pasi është kapur duke vjedhur bizhuteri, ora dhe elektroshtëpiake dhe sende me vlerë në 20 qytete franceze nga fundi i dhjetorit 2020 deri në fillim të janarit 2021.
Në nëntor të vitit 2020, Xhemal Uka kishte mbërritur në Francë, ku kishte aplikuar për azil sepse “kishte frikë për jetën në Shqipëri”, siç është shprehur ai para gjykatës.
Përmes avokatit të tij në gjykatë, Xhemal Uka ka deklaruar se i druhej një hakmarrjeje ndaj tij dhe familjes, pasi në vitin 2015 ai kishte goditur me thikë një efektiv të Antidrogës.
Hakmarrja në Shqipëri nuk është trillim. Frika e tij është reale dhe e justifikuar”, është shprehur avokati i shqiptarit.
Nga dosja hetimore të ngarkim të shqiptarit Xhemal Uka, gjykatësi vuri në dukje se vjedhjet ai i kryente në orët e vona të pasdites dhe kryesisht në shtëpitë që ishin të pabanuara. Policia franceze ra në gjurmët e shqiptarit përmes përgjimeve telefonike ku bashkë me të akuzohet edhe një tjetër shqiptar që bashkëpunonte në vjedhjet e shtëpive.
Sipas prokurorisë shqiptari vidhte bizhuteri, ora, pajisje stereo dhe elektroshtëpiake duke shkaktuar një dëm prej gati 94 mijë euro. Më pas ai ka tentuar t’i shiste sendet me vlerë në një nga dyqanet e Parisit, por nuk ka mundur ta realizojë një gjë të tillë pasi ai nuk ishte kartë identiteti. Shqiptari ka kundërshtuar akuzat duke thënë se nuk ka prova që ai ka vjedhur bizhuteri ndërsa është justifikuar se ka marrë borxh rreth 13 mijë euro për t’ia dërguar nënës së tij në Shqipëri për një operacion që ajo do të duhej të kryente. Xhemal Uka është dënuar në Shqipëri për plagosjen me thikë të një efektivi të Antidrogës në vitin 2015. Ndërsa tani do të duhet të vuajë dënimin në Francë për vjedhje derisa të dëbohet nga territori francez.