Pacientët që zhvillojnë më shumë se pesë simptoma të Covid-19 gjatë zhvillimit të sëmundjes, kanë më shumë gjasa të zhvillojnë sindromën Covidit të zgjatur, thonë shkencëtarët.
Njerëzit e rrezikuar nga sindroma e Covidit të zgjatur janë pacientët e moshuar, njerëzit obezë, gratë, ata me astmë dhe njerëzit që kanë pasur shumë simptoma gjatë fazës akute të Covid-19.
As fëmijët nuk janë të mbrojtur. Ata mund të kenë Covid të zgjatur dhe në fakt në një përqindje jo të vogël”, tha Anastasia Kotanidou, drejtoreshë e Klinikës së Kujdesit Intensiv të Universitetit Kombëtar dhe Kapodistrian të Athinës (EKPA) në Evangelismos, gjatë një aktiviteti të fundit shkencor të EKPA.
Ajo tha se edhe kur të ndalojë pandemia, “ne do të dëgjojmë për sindromën e Covidit të zgjatur për një kohë të gjatë”.
Long Covid” përshkruan simptomat që vazhdojnë për më shumë se 12 javë pas diagnozës së Covid-19 dhe për të cilat nuk ka një diagnozë alternative.
Incidenca e sindromës është raportuar në studime të ndryshme nga 2% deri në 30% të pacientëve të infektuar me virus, dhe vlerësohet se tre nga katër pacientë që duhet të trajtohen për Covid-19 shfaqin të paktën një simptomë, kryesisht lodhje, që vazhdon për gjashtë muaj pas fazës akute të sëmundjes.
Përsa i përket fëmijëve, ka studime që tregojnë se sindroma shfaqet në 15% të grupmoshës 12-16 vjeç.