Mandatari për formimin e Qeverisë së re të Malit të Zi, Dritan Abazoviç, njëherësh udhëheqës i Lëvizjes Qytetare URA, njoftoi të mërkurën se është rënë dakord për përbërjen e Qeverisë së re.
Mosbesimi ndaj Qeverisë së mëparshme të Malit të Zi, të udhëhequr nga kryeministri Zdravko Krivokapiq, është votuar më 4 shkurt.
Duke folur në një konferencë për media në Podgoricë, Abazoviç tha se e ka njoftuar Kuvendin e Malit të Zi për marrëveshjen e arritur për zgjedhjen e Qeverisë së re.
Ai tha se kabineti i tij do të ketë mbështetjen e 46 deputetëve nga 81 sa ka gjithsej Kuvendi i Malit të Zi.
“Ideja është që ta zhbllokojmë Malin e Zi, që shteti të ketë institucione funksionale dhe stabilitet. Në vend që të grindemi, të kemi pajtim dhe të përpiqemi të ndërtojmë një perspektivë evropiane. Ne nuk jemi kundër zgjedhjeve, por jemi kundër zgjedhjeve pa institucione”, tha Abazoviç.
Ai nuk dha shumë detaje për përbërjen e kabinetit, por tha se nëse merr mbështetje në Kuvend, ai do të ketë 20 ministra dhe katër nënkryetarë.
Abazoviç tha se beson se seanca e Kuvendit, në të cilën do të zgjidhet Qeveria e re, do të mbahet javën e ardhshme.
Qeveria e re pritet të përbëhet nga Lëvizja Qytetare URA e Abazoviçit, Partia Popullore Socialiste, e cila është pro-serbe, Partia Socialdemokrate dhe partitë kombëtare të shqiptarëve dhe boshnjakëve.
Qeveria pritet të ketë mbështetjen parlamentare edhe nga Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e presidentit malazez, Millo Gjukanoviq.
Ky i fundit ka konfirmuar më 19 prill se DPS-ja do të mbështesë Qeverinë e pakicës “pa asnjë interes apo pjesëmarrje në të”.
Duke folur për prioritetet e kabinetit të tij, Abazoviç tha se në fokus do të jenë: dialogu, reformat në drejtësi, shqyrtimi i vendimeve të diskutueshme të Qeverisë së mëparshme dhe vazhdimi i reformave të shërbimeve të sigurisë.
“Ndër prioritetet normative janë marrëveshja për bartësit e funksioneve gjyqësore, harmonizimi i rregulloreve gjyqësore me rregulloret e BE-së, Ligji për origjinën e pronës, i cili pret dritën jeshile të BE-së, reforma zgjedhore, rishikimi i gjendjes aktuale në arsim dhe kulturë, si dhe rishikimi i të gjitha vendimeve për personelin në këto fusha”, tha Abazoviç.