Ish-koordinatori i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi, ka komentuar qëndrimin e ish-kryeministrit Sali Berisha për zgjedhjen e presidentit të ri, i cili tha se procesi është farsë dhe se emrat në zarf i lexon vetëm kryeministri Edi Rama.
Lidhur me këtë, Patozi u shpreh në një intervistë në “A2 Cnn” se ky reagim është shenjë paralajmëruese për një mbledhje grupi të PD-së me shumë tension ditën e nesërme.
“Me postimin e tij në Facebook, Sali Berisha thotë se nesër në mbledhjen e grupit do të ketë një përleshje mes dy palëve, në rast se do të ketë rezistencë nga grupi i Enkelejd Alibeajt për t’i qëndruar idesë që opozita duhet të marrë pjesë në negociatat për zgjedhjen e Presidentit”, u shpreh Patozi.
“Unë mendoj që çfarëdo qëndrimi që të mbajë opozita, duhet ta mbajë duke shkuar në negociata, për t’ia lënë turpin mazhorancës, nëse del që kjo është farsë. Opozita duhet të shkojë sepse e ka detyrim”, shtoi Patozi.