Stoku i profesionistëve të TIK që ikën në Gjermani me kontrata pune arriti në rreth 2000 persona në vitin 2020, ndërsa stoku i punonjësve të shëndetësie arriti në 4000 punonjës në të njëjtin vit evidenton studimi ”Si do të ndër veprojë emigrimi i kapitalit njerëzor në tregun e punës në Ballkan” i Fondacionit Europian të Trajnimeve.
Perspektiva për punësim jashtë vendit po nxit studimet drejt TIK dhe shëndetësisë në vendet e Ballkanit Perëndimor. Nxënësit në këto vende projektojnë emigrimin që në momentin që zgjedhin degët që kërkohen nga tregu europian i punës.
Profesionistët e TIK-ut në Gjermani fitojnë tre herë më shumë se sesa kolegët e tyre në Shqipëri ose dyfishin e nivelit të pagave në Serbi dhe Maqedoni. Të dhënat për Gjermaninë tregojnë se, numri i profesionistëve të TIK-ut nga vendet e Ballkanit rritur më shumë se dyfishi, nga 1,497 që ikën në vitin 2015, në 3,569 punonjës të ikur më 2020.
Vetëm në vitin 2020 ikën nga Shqipëria 500 punonjës të TIK, numri i tyre ishte 6 herë më i lartë se në vitin 2015. Për Maqedoninë e Veriut numri i profesionistëve të rinj të TIK të punësuar në Gjermani korrespondon me 8% të të diplomuarve në TIK mesatarisht në vit. Të dhënat për Bosnjë dhe Hercegovinën në 2018 sugjerojnë që numri i të diplomuarve në TIK është mbi 800, teksa 13% e tyre u zhvendosen në Gjermani ndërmjet 2019 dhe 2020.
Përgjatë 2015 -2020 stoku i punonjësve shëndetësorë nga Ballkani në Gjermani është rritur në mënyrë të konsiderueshme bazuar në të dhënat e ofruara nga Agjencia Federale Gjermane e Punës. Punonjësit e shëndetësisë përfaqësohen nga mjekë, infermierë, por edhe profesionistë të tjerë të specializuar shëndetësor si dentistë, farmacistë, ose fizioterapistë.
Stoku i punonjësve të shëndetësisë në Gjermani me origjinë nga Ballkani Perëndimor arriti në 30 mijë persona në vitin 2020, që përfaqësojnë afërsisht 20% të huajve të trajnuar për sektorin gjerman të shëndetësisë. Ky stok u rrit me 2.5 herë nga viti 2015. Ndërsa stoku i profesionisteve shqiptarë të shëndetit në Gjermani u katërfishua, duke arritur në 4,000 mijë të tillë. Më shumë se 16% e punonjësve shëndetësorë nga Ballkani në Gjermani janë ‘profesionistë të shëndetit’, të përfaqësuar kryesisht nga mjekë dhe pjesa tjetër përbëhet nga profesionistë të asociuar shëndetësorë, shumica e të cilëve janë infermierë.