Koncesioni për Butrintin ka përplasur në Kuvend kryeministrin Rama dhe deputetët e opozitës. Në fjalën e tij, kryeministri Edi Rama iu drejtua opozitës duke i thënë se Butrintin do ta shpëtojnë dhe do ta bëjnë ashtu siç duan.
Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë nuk i kurseu edhe ofendimet ndaj opozitës, duke thënë se ata janë futur në një kope. Sipas Ramës, nuk ka marrëveshje sekrete për Butrintin.
“Kjo e kartelës tregon edhe njëherë pse ju jeni e njëjta gjë edhe kur jeni të ndarë sepse përdorni të njëjtat argumente, flisni të njëjtat fjalë. Njerëzit kur ndahen për shkak të mospajtimeve politike dhe kulturore nuk i dallon dot poqe se dallohen nga fytyra dhe nga emri. Kartela klinike, këta e kam dëgjuar dem baba dem nga ai që ka vdekur dhe e dëgjoj si shembullin e asaj që thashë se budallallëku në familjen tuaj është sëmundje ngjitëse. Kjo është. Ky është fakt, të cilin e vërteton e përditshmja juaj, pavarësisht se jeni në njërën anë apo në anën tjetër të asgjësë që ju ka ndarë në mes.
Mos u ofendoni fare, të jesh i afektuar nga budallallëku është krizë. Do të thotë të jesh në një krizë që duhet ta zgjidhni vetë. Unë do të them që jeni të afektuar. E keni shtrembërimin në ADN. Në momentin që do shikoni veten në pasqyrë do kuptoni që unë them shumë pak. Merruni me veten”, tha Rama.