Lisjan Myrtaj, efektivi i policisë që u përfshi në një sherr ditën e djeshme me djalin e kryeplakut të fshatit Kaninë, Juxhino Aliaj (Todi) ka dhënë dëshminë e tij përpara policisë.

Burime bëjnë me dije për Panorama.al se ai është vetëdorëzuar para kolegëve të tij ku ka dhënë një version tjetër të ngjarjes.

Ai është shprehur se ka pasur një debat me 24-vjeçarin disa ditë më parë ndërsa sipas tij dje ai e ka ndjekur me makinë deri afër banesës, i ka drejtuar armën dhe më pas e ka ofenduar.

Myrtaj ka deklaruar se 24-vjeçari ka qëlluar dy herë me armë zjarri dhe kjo sipas tij ka bërë që të reagojë për vetëmbrojtje duke qëlluar drejt makinës së tij.

Më pas ai ka thënë se ka telefonuar sallën operative për të kërkuar ndihmë dhe ka pritur kolegët e tij duke mos lëvizur nga vendi i ngjarjes.

Ndërsa Aliaj është arratisur me makinën e tij tip “ML”. Motivi i debatit sipas burimeve ka qenë akuza e Juxhinit se efektivi i policisë i kishte parë të dashurën më parë. Por ky i fundit e ka mohuar një gjë të tillë.