Fatbardh Kadilli gjatë fjalës së tij në Kuvendin Kombëtar të PD, i ka bërë thirrje ish-kryeministrit Sali Berishës që t’i hapë rrugën një brezi të ri, duke u bër kështu i vetmi zëë kritik në këtë Kuvend.  

Sipas tij i gjithë fokusi i kryeministrit Edi Rama dhe shpurës së tij, është të mbajë pushtetin me çdo mjet dhe me çdo çmim, , pavarësisht kostove.

Pjesë nga fjala e Kadillit:

Ne nuk mund t’i bëjmë bisht të vërtetës sonë: PD sot është PD-ja e vitit 2013. Për të koha ka mbetur në vend. Koha e shqiptarëve ka ecur përpara dhe e ka lënë PD-në pas. PD sot duhet të kapë të ardhmen. Për këtë arsye, dua t’i bëj thirrje edhe një herë tjetër Zotit Berisha që të hapë rrugën për një brez tjetër në krye të PD-së, i cili mund të vijë nga një garë e lirë dhe e vërtetë. Një garë ku merr pjesë zoti Berisha nuk është garë e vërtetë. Në emër të së ardhmes dua t’i bëj thirrje këtij Kuvendi që të shprehë qartë: ndarjen nga çdo trashëgimi e keqe e së shkuarës sonë. Të shpallim ndarjen nga korrupsioni dhe abuzimi me pushtetin që edhe ne kemi kryer në të shkuarën.

Të dashur demokratë, i gjithë fokusi i Edi Ramës dhe shpurës së tij është të mbajë pushtetin me çdo mjet dhe me çdo çmim: pavarësisht ligjit, pavarësisht moralit, pavarësisht kostove. Një nga investimet më të mëdha të Edi Ramës është lufta kundër PD-së, lufta kundër nesh, që të shpenzojmë energji dhe kohë për tu mbrojtur dhe që të mos kemi kohë dhe energji për të ndryshuar.

Rama dhe pushteti punojnë në mënyrë të vazhdueshme për të përçarë, diskredituar dhe dekurajuar kundërshtarët e tanishëm dhe ata potencialë, veçanërisht PD-në.

 Nga ana tjetër, fatkeqësisht elektorati i djathtë, është i përçarë: ca mbështesin këtë apo atë udhëheqës pa kushte, ca janë të zhgënjyer nga PD-ja, ca janë të zhgënjyer nga të gjitha partitë e djathta, ca kanë humbur shpresën tek politika.

 Kjo përçarje vjen nga mungesa e vlerave të partive të djathta, veçanërisht PD-së. Ndaj bashkimi mund të vijë vetëm nëse PD do të kthehet në parti vlerash.