Ka ndërruar jetë gazetari shqiptar në Amerikë, ikona e “Gazeta Dielli”, Dalip Greca. Greca ka ndërruar jetë në moshën 72-vjeçare. Lajmin e hidhur e ka bërë me dije “Gazeta Dielli”, teksa shkruan se Greca prej disa ditësh po luftonte me jetën, ndërsa mëngjesin e djeshëm mbylli sytë përgjithmonë.

Dalip Rexhep Greca ka lindur në Lushnje me 10 tetor 1950. Mësimet bazë i bëri në vendlindje, ndërsa shkollën e Mesme e përfundoi Qershor 1969 në Gjimnazin” Abas Shehu” Tepelenë.

Studioi për Gjuhë dhe Letërsi shqipe në Institutin e Lartë Pedagogjik Shkodër 1969-1971, të cilin e përfundoi me rezultate të shkëlqyera. 1971-1974 kreu shërbimin ushtarak të detyruar në Marinë.

Në vitin e fundit të shërbimit nisi me korrespondencë studimet në Universitetin e Tiranës për Letërsi, të cilat i përfundoi me rezultate shumë të mira në ,aj 1976. Punoi në arsim deri në vitin gusht 1983, kohë kur filloi punën se redaktor për Kulturën dhe Sportin në Gazetën lokale “Shkëndija”. E humbi këtë vend pune për shkak të përkrahjes së proceseve demokratike në dhjetor 1990.

Më 20 korrik 1999 emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe filloi detyrën e redaktorit-përgjegjës për seksionin shqip të gazetës shqiptaro-Amerikane ILLYRIA, paralelisht nisi dhe përfundoi studimet 2 vjeçare në Institut Tecnnology of Business në New York.

Për 10 vite ai ishte një ndër gazetarët që hulumtoi, intervistoi, investigoi personalitete dhe njerëz të thjeshtë të komunitetit dhe fitoi respektin e shqiptarëve të Amerikës. Ai arriti të intervistojë shumë nga figurat e diasporës nacionaliste, të cilët e patën lënë Shqipërinë në fundin e Luftës së Dytë Botërore dhe ka gati për botim librin- Armiqtë që e donin me shpirt Atdheun.

Në gusht të vitit 2009, Dalip Greca filloi drejtimin e Gazetës Dielli, e cila nuk botohej prej më shumë se 2 vite e gjysmë. Ai e ringjalli gazetën më të vjetër të botës shqiptare dhe për 12 vite e kthu atë në lavdinë e dikurshme të themeluesve. “Dielli” nën drejtimin e Dalip Grecës pësoi ndryshime thelbësore.

Postimi i plotë i “Gazeta Diell”

SHUHET DALIP GRECA, IKONA E DIELLIT, VATRËS E MEDIAS SHQIPTARE NË AMERIKË, VATRA MESAZH NGUSHËLLIMI

E nderuar familja Greca

I shtrenjtë dhe i paharruar miku ynë i përjetësisë Dalip

Sot për familjen Greca, Vatrën, Vatranët, Shqiptaro-Amerikanët është një ditë zie dhe trishtimi.

Sot, më datë 16 Maj 2022, në orën 4.23 PM në Neë York, zemra e mikut tonë të çmuar Dalip Greca ndaloi përgjithmonë.

Ikja e befasishme na ka shkatërruar të gjithëve në shpirt. Ky largim i shpejtë dhe i padrejtë na ka vrarë fort e mërzitur pafundësisht.

Një largim fizik që lë pas shumë trishtim, keqardhje e dhimbje të thellë te familja, miqtë e bashkëpunëtorët.

Ne do ta kujtojmë e respektojmë përjetë kontributin tënd të shquar, dedikimin dhe përkushtimin në punët që bëje, korrektësinë e detyrave, besnikërinë e premtimeve e miqësive, përkushtimin e devotshmërinë ndaj komunitetit, miqve, medias dhe kombit shqiptar.

Ikja e Dalip Grecës largon brenda nesh një copë të rëndësishme jete të kthyer në përkujtim të përjetshëm.

Sot, të gjithë kemi humbur shumë. Miqtë një mik special, shok, vatran, patriot, familjar e veprimtar të pa zëvendësueshëm në kauzat ku Dalip Greca bëhej pjesë. Në emër të Federatës Pan- Shqiptare të Amerikës VATRA, në emër të të gjithë vatranëve, të Shqiptaro-Amerikanëve e të familjes sime ju përcjell ngushëllimet tona më të ndjera, më të sinqerta e më të dhimbshme familjes Greca për humbjen e pakthyeshme të mikut tonë Dalip.

Lutjet dhe përshpirtjet tona si vatranë e komunitet janë më të afërta e më të ndjera se kurrë pranë familjes Greca, familjarëve e miqve në këto momente trishtimi, lamtumire, humbje e zie.

Mirënjohje për jetë të jetëve o Dalip Greca për gjithçka që po na lë pas ikjes sate në përjetësi.

Pushofsh në paqen e amshuar, në mbretërinë e qiellit miku ynë i paharruar.

I pikëlluar thellë

Pranë familjes e miqve, me nderime të veçanta

Kryetari i VATRËS

Elmi BERISHA

Shënim: Në gazetën Dielli, në vazhdim do të jepen detaje rreth organizimit të ceremonisë së lamtumirës dhe nderimeve