Pronari i një lokali në Kavajë u shpall në kërkim nga policia paraditen e sotme pasi kishte përshtatur ambientet e biznesit të tij për vendosjen e lotarive të palejuara.
Gjatë kontrollit policia gjeti në lokal një armë zjarri pistoletë me municion luftarak të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Policia arrestoi një 19-vjeçar me iniciale A.Ç. ndaj të cilit rëndojnë akuzat për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i policisë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Black”, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Kavajë. Goditet një rast i armëmbajtjes pa leje, shpallet në kërkim pronari i një lokali në Kavajë.
Goditet dhe një rast i organizimit të lotarive të palejuara, arrestohet në flagrancë 19-vjeçari i punësuar në mënyrë të paligjshme në këtë lokal.
Sekuestrohen një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kavajë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, se një shtetas mbante armë zjarri në lokal, kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Black”.
Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:
– A. Ç., 19 vjeç, banues në Kavajë, për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”.
Gjithashtu, u shpall në kërkim pronari i lokalit, shtetasi E. M., 40 vjeç, banues në Kavajë, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Punësimi i paligjshëm”.
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit në ambientet e lokalit të shtetasit E. M., gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë me municion luftarak. Gjithashtu, gjatë kontrollit të telefonit të shtetasit A. Ç., të cilin shtetasi E. M. e kishte punësuar në mënyrë të paligjshme në lokalin e tij, gjetën programe që shërbejnë për vendosjen e lotarive të palejuara.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme