Moska deklaroi sot se po dëbon dy diplomatë finlandezë, si kundërpërgjigje të vendimit të Helsinkit që dëboi dy diplomatë rusë në muajin prill.
Ministria e Jashtme ruse tha më 17 maj se ka thirrur në bisedë ambasadorin finlandez në Rusi, Antti Helantera, për ta informuar atë për këtë vendim.
Autoritetet në Rusi thanë se e kanë marrë këtë vendim për shkak të “kursit konfrontues të Finlandës karshi Rusisë”.
Finlanda i ka ofruar armë Ukrainës, shtet të cilin Rusia ka filluar pushtimin në 24 shkurt dhe ligjvënësit në Helsinki pritet që gjatë ditës së sotmë të mbështesin aplikimin për anëtarësim në aleancën ushtarake të NATO-s.
Kujtojmë se muajin e kaluar Finlanda dëboi dy pjesëtarë të stafit të ambasadës ruse në Helsinki, si kundërpërgjigje të agresionit rus kundër Ukrainës.
Shtetet evropiane kanë dëbuar qindra diplomatë rusë, që prej nisjes së pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga Rusia, në 24 shkurt.