Një tornado ka goditur Gjermaninë ditën e djeshme duke lënë të plagosur më shumë se 50 njerëz, dhjetë nga të cilët mësohet se kanë lëndime të rënda dhe ndodhen në spital ku po marrin trajtim mjekësor.

Erërat e forta, me shpejtësi deri në 130 km/h, goditën qytetin perëndimor Paderborn duke lënë pas shkatërrim dhe dëme të mëdha.

Por tornadoja nuk u ndal vetëm në Paderborn, pasi dëme të konsiderueshme janë regjistruar edhe në Rhine-Westfal, fill pasi temperaturat e larta dhe të pazakonta pushtuan gjithë zonën.

Një zëdhënës i policisë ka treguar për AFP se qindra shtëpi kanë mbetur pa çati, ndërsa shumë pemë janë shkulur nga rrënjët.

Në rajonin jugor të Franconisë Qendrore, një kasolle prej druri u shemb e gjitha, duke plagosur 14 persona, përfshirë edhe fëmijë.

Videot dhe fotografitë që kanë qarkulluar në mediat sociale, kanë zbuluar pamjet apokaliptike nga zonat e prekura, ku duken pemë të rrëzuara mbi makina, banesa të shkatërruara dhe njerëz që vrapojnë të frikësuar nëpër rrugë.

Për disa orë, jeta në Gjermani ngriu, udhëtimet me tren u ndërprenë, njerëzit u mbyllën nëpër shtëpi dhe madje banda gjermane Rammstein ndaloi koncertin që po mbahej në Leipzig.

Aktualisht akoma nuk ka të dhëna të tjera lidhur me bilancin e saktë të dëmeve që ka shkaktuar tornadoja, ndërsa autoritetet bëjnë thirrje për kujdes të shtuar.