Inagurohet pediatria e re e Elbasanit Spitali Pediatrik i Elbasanit është transformuar në një mjedis miqësor për vogëlushët, ku ata marrin shërbimin spitalor në kushte optimale.
Kjo, falë investimit të buxhetit të shtetit për rikonstruksionin e plotë të godinës 4-katëshe, ndërtim i para viteve 90-të, e cila është shndërruar, jo vetëm nga pikëpamja infrastrukturore, por edhe organizative dhe funksionale e ambienteve të saj.
Kryeministri Edi Rama ishte sot në Elbasan, ku së bashku me Ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu vizituan spitalin e ri, i cili siguron shërbime shëndetësore për më shumë se 20 mijë fëmijë.
Ministrja Manastirliu tha se tashmë korpusi Spitalit të Elbasanit është një korpus tërësisht i kompletuar për nga pikëpamja e strukturës spitalore, por edha nga pikëpamja e teknologjisë, imazherisë dhe laboratorëve.
“Pas një seri investimesh në spitalin e Elbasanit, investimi më i ri tashmë i përfunduar është Spitali Pediatrik, një angazhim i përmbushur tashmë që i siguron shërbime cilësore më shumë se 20 mijë fëmijëve që marrin shërbim çdo vit në këtë spital. Se si kanë qenë kushtet e Spitalit Pediatrik, atë e dinë fare mirë të gjithë mjekët dhe infermierët e këtij spitali, por për të thënë të vërtetën, tashmë korpusi i spitalit të Elbasanit është një korpus i mirëinvestuar nga pikëpamja e infrastrukturës spitalore, por edhe nga pikëpamja e teknologjisë, imazherisë dhe laboratorit që tashmë janë përfshirë në gjithë programin e zhvillimit spitalor.” – u shpreh Ministrja Manastirliu.
Spitali Pediatrik i Elbasanit ka një kapacitet prej 75 shtretërish, 60 shtretër shtrimi për pacientët e vegjël, të organizuar në shërbimet e terapisë ditore, reanimacionit, neuro – interiteve, bronkiteve, dhe shërbimit të pediatrisë infektive, si dhe 15 shtretër në shërbimin e urgjencës.
Të gjithë dhomat e pacientëve të vegjël duke filluar nga urgjenca, pavioni i terapisë ditore dhe pavijonet e tjera të shërbimeve pediatrike kanë ambiente miqësore për pacientët e vegjël.
“Besoj që tashmë janë të gjitha standardet dhe ajo çka është e rëndësishme është që përveç mobilimit spitalor, të gjitha aparaturat mjekësore janë të reja. Është një spital që ka 60 linja oksigjeni. Çfarë e karakterizon këtë spital si një model të ri që kemi filluar ta përfshijmë në spitalet pediatrike janë shërbimet miqësore për fëmijët. Hapësirat e përbashkëta janë rehabilituar. Kur e filluam në fillim këtë projekt, nuk e dinim a do sillej dot në kushtet dhe parametrat e duhura pasi që nga viti ’90 nuk ishte vënë dorë.” – shpjegoi Ministrja Manastirliu.Spitali i ri është gjithashtu një investim i shumëpritur për personelin e dedikuar shëndetësor të Spitalit pediatrik të Elbasanit që trajton në ditë mesatarisht 80 pacientë të vegjël në shërbimin e urgjencës dhe deri në 150 pacientë të vegjël në periudhat e pikut.