Ish-ministri i PS-së, Arben Malaj, ka komentuar kërkesën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, për përjashtimin e prokurorit të çështjes së tij, Ols Dado, pasi pretendon se emërimi i tij në vitin 2008 është i pavlefshëm.

Në një postim në rrjetet sociale, Malaj shkruan se Veliaj nuk është “engjëll” dhe as “i burgosur politik”, teksa hedh akuza ndaj tij se ka sulmuar të gjithë kundërshtarët e Edi Ramës brenda Partisë Socialiste.

Sipas tij, kryebashkiaku i Tiranës është një nga personazhet që i ka bërë më shumë “mëkate” në rrugën e tij politike, teksa shton se nuk bën mirë që i drejtohet Dados me metaforën e “gomarit”.

Merru me akuzat, E.V., jo me gomarët, sepse ata, edhe sipas Dritëro Agollit, në kohën e Rilindjes kanë kohë që janë vënë përpara kalit: ‘Në vendin tim e në vendin tënd, një i marrë një vend e çmend; në vendin tim, në vendin tënd, kalin e lidhin, gomari pëllet; se kalin e kanë vënë pas gomarit dhe gomarin para kalit”, thekson Malaj.

Reagimi

Erion Veliaj ka të drejtën të prezumohet i pafajshëm dhe unë e kam mbrojtur edhe publikisht këtë të drejtë kushtetuese. Por Veliaj nuk është “engjëll” dhe as “i burgosur politik”.

Veliaj nuk bën mirë që ofendon një prokuror me metaforën e “gomarit”, pasi cenimi i kritereve ligjore dhe i masave duhet të verifikohet nga institucionet e drejtësisë, jo nga poshtërimet e Veliajt.

Ok, por nëse ndërrohet prokurori dhe akuzat mbeten, çfarë i mbetet Veliajt?

Veliaj nuk është engjëll sepse: Veliaj dhe “Mjaft” qenë që ditën e parë skllevër vullnetarë të Ramës.

Ka keqpërdorur “Mjaft”-in kundër kujtdo që Rama e shpallte armik, ndër të tjerë edhe mua.

Veliaj ka keqpërdorur çdo burim financiar për të ndërtuar lavdinë e tij sipërfaqësore.

Veliaj fshehu transparencën e fondeve në miliona euro te “Mjaft”, duke deklaruar se i kishte humbur laptopi.

Por veprimet ligjore të burimeve të financimit dhe të shpenzimeve duhet të hetohen.

Nëse është financuar nga fonde të zeza, kjo bëhet vetëm për qëllime të zeza.

Veliaj terrorizoi fshatarët e varfër që shisnin për mbijetesë fruta dhe perime, praktikë kjo që nuk gjen vend në asnjë cep të botës, as në New York.

Veliaj, bashkë me Policinë e Shtetit, nxorën me dhunë banorët e Astirit dhe të “5 Majit” në palcën e dimrit, duke i bërë të qajnë dhe të mallkojnë, bashkë me fëmijët në krahë e gjyshet, apo duke thithur gazin helmues.

Veliaj, i përkëdhelur nga mentori që e shfrytëzoi deri në palcë, krijoi një “ushtri” me rreth 36 këshilltarë që paguheshin nga taksat e shqiptarëve.

Ata, kryesisht, kishin portale dhe e ngrinin në qiell Veliajn, duke luftuar paçipërisht çdo individ kritik.

Kurtz, ish-kancelari i Austrisë, vetëm se ndërtoi një skemë të ngjashme ndikimi deformues të votës së votuesve, humbi postin e kryetarit të partisë, humbi postin e kancelarit dhe u gjykua për t’u dënuar edhe penalisht.

Veliaj sulmonte turpërisht çdo zë kritik, duke i akuzuar publikisht se “ishin të tillë sepse i kishin kërkuar leje ndërtimi dhe ai nuk ua kishte dhënë”.

Ky ishte një sulm i pashpirt ndaj vëllait tim, i cili fatkeqësisht ndërroi jetë një vit më parë, edhe nën stresin e arrogancës së tij dhe të drejtorit të urbanistikës.

Kur bashkia shkeli çdo afat ligjor, kërkova një takim vetëm me Veliajn.

Takimi u bë ballafaques me Veliajn, i cili kishte marrë edhe urbanistin.

Pa asnjë etikë komunikimi, kur i thashë: “Ktheni përgjigje, sepse e keni detyrim ligjor dhe do të ankohem në rrugë ligjore në gjykatë”, ai m’u përgjigj me një arrogancë përbuzëse: “Ik ku të duash”.

Atëherë iu ktheva dhe i thashë se qenka e vërtetë ajo që thotë populli, se në bashkinë tuaj ka një mafie të tokave.

Ju bllokoni ditën pronarët ligjorë, ndërsa oligarkët tuaj natën u bëjnë presion për t’u blerë tokën me çmime shumë më të ulëta se tregu.

Në respekt të shpirtit të vëllait tim të ndjerë, jam i gatshëm të dal dëshmitar.

Mediat pranë Veliajt shpifnin se vëllai im kishte kërkuar kullë.

Gënjeshtra gjithmonë i ka këmbët e shkurtra.

Menjëherë publikova në rrjetet sociale kërkesën që vëllai im i kishte drejtuar Veliajt, ku kërkonte vetëm të vendoste një ndërtim provizor druri, që të mos i zaptohej toka.

Qëndrimi im nuk ushqehet vetëm nga ky rast konkret, por rasti konkret mbështet argumentet pse Veliaj nuk është engjëll.

Mesazh i përsëritur për Veliajn:

NDAL poshtërimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe çdo kritiku ndaj teje.

Kujdes me metaforën e gomarit/gomarëve, se të kthehet tek vetja.

Rilindasit, ku ju bëni pjesë si “ushtari i mirë Shvejk”, do të jeni përgjegjës moralisht përballë kriminalizimit të një pjese të rëndësishme të institucioneve dhe administratës publike.

Merru me akuzat, E.V., jo me gomarët, sepse ata, edhe sipas Dritëro Agollit, në kohën e Rilindjes kanë kohë që janë vënë përpara kalit:

“Në vendin tim e në vendin tënd, një i marrë një vend e çmend;

në vendin tim, në vendin tënd, kalin e lidhin, gomari pëllet;

se kalin e kanë vënë pas gomarit dhe gomarin para kalit.”

GEAM Sh.p.k