Presidenti Ilir Meta, mbajti një fjalim në një konferencë me titull ‘Trendi aktual i trafikimit të qenieve njerëzore në Ballkan’, ku e ftuar është edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim.
Meta shtrëngoi duart me ambasadoren amerikane, përpara se të fliste në konferencë. Ai tha që institucionet duhet të rrisin vigjilencën dhe të parandalojnë trafiqet e qenieve njerëzore, i cili në Ballkan është në nivele të larta. Meta bëri thirrje që viktimat e trafiqeve të trajtohen si qenie njerëzore, e jo si burim provash.
Një pjesë e konsiderueshme e viktimave të identifikuara janë qytetarë nga rajoni ynë. Një sërë masash janë marrë prej vitesh, por trafiku i fëmijëve është ende i konsiderueshëm. Pandemia e COVID-19 i bëri më të ekspozuar fëmijët nga trafikimi. Masat duhet të integrohen në sistemin e fëmijëve, duke bashkuar shërbimet sociale dhe arsimore. Lufta kundër trafikimit duhet të bazohet në parandalimin e fenomenit. Në këtë situatë duhet të rrisim bashkëpunimin dhe koordinimin, nëpërmjet autoriteteve si dhe bashkëpunimin rajonal.
Nga ana tjetër duhet të jenë prioritet situata ekonomike në vendin tonë. Synimi i trafikantëve janë personat në vështirësi më të mëdha. Personat në nevojë të dëshpëruar për punë, ata që bien lehtë pre e trafikimit. Një ekonomi më gjithëpërfshirëse, sundimi i shtetit të së drejtës, jo vetëm do të përmirësonin jetën e qytetarëve tanë, por do të ulnin ndjeshëm trafiqet e çdo lloji. Kërkohet hetim për trafikantët, përfshirë bashkëpunëtorët. Nevojitet trajnim i vazhdueshëm i Policisë së Shtetit dhe prokurorëve, për hetimin me shpejtësi”.
“Ka ende vend për përmirësime dhe ndërhyrje me rëndësi. Viktimat e trafikimit duhet të trajtohen si viktima të krimit. S’duhet të trajtohen si burim provash pasi janë qenie njerëzore. Liria ka rëndësi sepse njerëzit kanë rëndësi. Lufta për liri zhvillohet edhe në nivel globa. Mbrojtja e jetës është një mision që na përket të gjithëve. Ashtu siç ka thënë dhe Nënë Tereza: Kush shpëton një jetë, shpëton një botë të tërë”, u shpreh kreu i shtetit.