Kryeministri Edi Rama njoftoi dje konkretizimin e një projekti për një bazë detare të NATO-s në Shqipëri.
Këto ide, kreu i qeverisë ia prezantoi komandantit të Komandës Operacionale të NATO-s, gjeneral Tod Daniel wolters. Kryeministri Edi Rama i dorëzoi dje medaljen “Ylli i madh i mirënjohjes publike”, komandantit të Komandës Operacionale të NATO-s, gjeneral Tod Daniel Wolters.
Në një ceremoni të veçantë, kreu i qeverisë foli me superlativa për gjeneralin dhe kontributin e tij, ku e cilësoi si avokatin më të mirë të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. “Do bëjmë plan për një bazë detare të NATO-s në Shqipëri”. Ai bëri me dije se tani plani është për krijimin e një baze detare të NATO-s në Shqipëri.
“Tani na takon ne për të pasur një bazë detare të NATO në Shqipëri, na takon ne t’i japim projektin dhe ai do të jetë avokati më i mirë i Shqipërisë”, deklaroi kreu i qeverisë. Rama foli për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBAsë teksa e konsideroi këtë marrëdhënie si gur themeli.
Rama u shpreh se ne kemi mësuar më shumë nga partnerët tanë të fuqishëm. “Ne e nisëm atje ku e lamë në vitin 1991 dhe mesa duket është vendosur një gur themeli i ri. Nuk është përherë e lehtë, ndonjëherë është shumë kërkuese. Duket më sfiduese nga ç’mund të përballojmë, është shumë përmirësues për ne. Nuk guxoj të pyes asnjë prej ambasadorëve amerikanë se çfarë mësojnë nga Shqipëria. Mund t’ju them që ne mësojmë shumë nga këta partnerë tejet të fuqishëm dhe të ditur. Forcat e armatosura janë shprehja më e mirë e rrugëtimit tonë për të mësuar, shoqëruar nga miq dhe aleatët amerikanë, brenda NATO-s dhe në nivel dypalësh. Dhe nëse sot forcat tona të armatosura, kanë shkuar në një nivel që edhe ata më optimistë nuk do guxonin ta përfytyronin 20 vite më parë, kjo ka ndodhur falë miqve dhe aleatëve tanë amerikanë.
Sigurisht në këtë raport shumë, ka të bëjë me njerëzit, shumë lidhet me ata të cilët janë shprehja njerëzore e kësaj marrëdhënie, ambasadorë, gjeneralë, të dërguar, punonjës të cilët në kuadrin e punës së tyre, duhet të mishërojnë parimet dhe ambiciet e kësaj marrëdhënie. Mes tyre, gjenerali Wolters, ka një vend të posaçëm. Nuk po e them këtë për shkak të rrethanave apo se rasti e do të them ca fjalë”, deklaroi Edi Rama.