Policia greke ka arrestuar nënë e bir për posedim dhe trafik të një sasie të caktuar kokaine. Ndërsa babai është shpallur në kërkim. Nëna së bashku me djalin 24-vjeçar janë arrestuar nga ditën e sotme në Rodos nga punonjësit e policisë së Narkotikëve, ndërsa babai i tyre, një 43-vjeçar ndodhet në kërkim.
Ndaj këtij të fundit është ngritur një kallëzim për furnizim, posedim dhe trafik droge.
43-vjeçari në kërkim është një person i njohur për policinë sidomos për pjesëmarrjen e tij në organizata kriminale të trafikut të drogës dhe zjarrvënieve në dyqane.
Përveç kësaj familjeje, në hetim janë edhe katër persona të tjerë të përfshirë në tregtinë e drogës.
Pas një hetimi disaditor policor, u konstatua se djali 24-vjeçar merrte dhe shpërndante tek palë të treta sasi droge për llogari të babait të tij, 43-vjeçarit të shpallur në kërkim, shkruajnë mediat greke.
Për t’i dhënë fund veprimtarisë së tyre kriminale u organizua një operacion policor mesditën e sotme, ku u lokalizua 24-vjeçari i cili po transportonte kokainë me peshë 1 kilogramë e 191 gram.
Gjithashtu, atij iu gjetën edhe tre dokumente të transfertave në vlerë prej 6788 euro.
Pas kontrollit në banesën e prindërve të tij u arrestua gruaja 46-vjeçare, ku u gjet kokainë me peshë 411.8 gramë dhe 1 kilogram e 597 gramë kanabis si dhe një shumë prej prej 6100 euro. Të arrestuarit do të dërgohen në Gjykatën e Shkallës së Parë në Rodos