Adoleshenti Florian Pervathi, i cili vrau bashkëfshatarin e tij për gjakmarrje në Manati të Lezhës, e ka kryer krimin pa u ndikuar nga askush.

Ai shprehet i penduar për krimin e kryer, ndërsa në institucionin e vuajtjes së dënimit për të mitur në Kavajë, trajtohet gjatë gjithë kohës me psikolog dhe merret me aktivitete të ndryshme, ku pjesën më të madhe të kohës e kalon duke pikturuar.

“Nuk jam rritur me frymën e gjakmarrjes dhe as nuk më ka frymëzuar askush për të kryer krimin. Ka qenë provokimi i vazhdueshëm që më bënte Lek Lekgjonaj, duke më detyruar që të marr hak. Armën e kam siguruar gjatë kohës së studimeve në Shkodër 1 vit para ngjarjes, ndërsa jam thellësisht i penduar nga ajo çfarë kam bërë, pasi nuk e kam logjikuar më gjatë”, është shprehur Florian Pervathi në dëshminë e tij para hetuesve që është pjesë e dosjes hetimore.

Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe disa muaj pas ngjarjes, gjatë një interviste të dhënë nga ambientet e burgut për të mitur në Kavajë, ndërsa trajtohet gjatë gjithë kohës me psikolog dhe merret me aktivitete të ndryshme, ku pjesën më të madhe e kalon duke pikturuar.

“Një ditë imja këtu është e qetë. Merrem me aktivitete të ndryshme. Pikturoj shumë, më pëlqen piktura. Kur mërzitem, futem në dhomë e pikturoj. Pikturat e mia dua t’i ekspozoj, por edhe t’i dhuroj për bamirësi. Më shumë se gjithçka më mungon liria. Unë jam brenda, ndërsa miqtë e mi janë jashtë. Koha nuk kthehet, nuk kam se çfarë bëj. Kur kam ardhur këtu, e kam kuptuar se kam gabuar. Unë nuk kam pasur kurrë një psikolog afër që të më udhëzojë dhe të më mbajë në rrugë të drejtë. Për herë të parë u njoha me psikologun e punonjësin social në burg, kur nuk më duhet më. Nuk jam rritur me idenë e gjakmarrjes. Nuk më ka nxitur familja, por e kam bërë vetë. Ishte një moment që më shkatërroi gjithçka. Leka më provokonte vazhdimisht, prandaj nuk e durova më dhe ndërmora aktin final. Nëse nuk do të më provokonte, nuk do të isha këtu sot. Kam gabuar dhe jam penduar, i shpreh ngushëllime familjes së Lekës. Unë do të vazhdoj shkollën dhe pikturën. Shpresoj që kur të dal, të bëj shkollën dhe të hap ekspozita”, tha ndër të tjera për “Top Channel” Florian Përvathi.

VRASJA

Florian Përvathi ekzekutoi me armë zjarri bashkëfshatarin e tij Lek Lekgjonaj dhe ndaj adoleshentit janë ngritur akuzat për “Vrasje për gjakmarrje” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”

Organi i akuzës ka arritur të provojë se i riu e ka kryer krimin me paramendim për gjakmarrje, pasi vëllai i viktimës i kishte vrarë babanë vite më parë, kur adoleshenti ishte vetëm 4 vjeç.

Dosja hetimore në lidhje me ngjarjen është dërguar për gjykim në Gjykatën e Lezhës, ku edhe pritet të zhvillohet seanca paraprake gjyqësore