Instituti i Studimeve Politike ka analizuar kërkesën ligjore që Grupi i PS ka depozituar në Kuvend për mbështetjen e Bajram Begajt me 37 firma.

Juristet e ISP kanë cilësuar si paradoks faktin që mes firmëtarëve është dhe vetë kryetarja e Kuvendit, ndërkohë që në krye të letrës ajo i drejtohet po Lindita Nikollës.

“Duke parë dokumentin iniciues parlamentar rezulton se akti kushtetues i mbledhjes së nënshkrimeve drejtuar kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla, ndonëse nis me shprehjen standarde “e nderuara zonja kryetare e Kuvendit” vijon me nënshkrimet, ku vetë “e nderuara zonja kryetare e Kuvendit” është firmë e tretë! Mazhoranca i ka firmat e nevojshme, vendimmarrja është tashmë procedurë, ndaj thjesht ka luksin të zgjedhë cilët deputetë do të nënshkruanin formalisht aktin.

Një person politik dhe institucional nuk mund t’i drejtojë kërkesë vetvetes, sidomos në një akt të tillë me vlerë kushtetuese e gjurmë referuese për memorien historike dhe institucionale, ndaj ky paradoks etik e protokollar mund / duhej të evitohej”, thuhet në reagimin e Institutit të Studimeve Politike.

Po ashtu në argumentet e ISP theksohet se në këtë kërkesë duhet të shmangeshin emrat e deputetëve të shpallur non grata nga SHBA-të apo të personave të akuzuar nga opozita.

“Për të shkuar akoma më tej, e njëjta gjë mund të thuhej edhe për nevojën e përzgjedhjes cilësore, evitimit të firmave nënshkruese nga deputetë që janë pjesë direkte/indirekte të listave non grata apo penalizimeve të njohura nga partnerët strategjikë, SHBA dhe BE”, thuhet në reagimin e ISP

REAGIMI I PLOTE
Kuvendi po zgjedh Presidentin e Republikës. Ky është një akt me rëndësi kushtetuese dhe politike për Shqipërinë. ISP po monitoron Kuvendin dhe praktikat zgjedhore jane komponente thelbesore monitorimi e vleresimi. Ne rastin konkret, vullneti politik është i qartë, por procesi kushtetues kërkon gjithashtu edhe solemnitet në përmbajtje dhe në aspektin procedural.

Duke parë dokumentin iniciues parlamentar rezulton se akti kushtetues i mbledhjes së nënshkrimeve drejtuar kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla, ndonëse nis me shprehjen standarde “e nderuara zonja kryetare e Kuvendit” vijon me nënshkrimet, ku vetë “e nderuara zonja kryetare e Kuvendit” është firmë e tretë! Mazhoranca i ka firmat e nevojshme, vendimmarrja është tashmë procedurë, ndaj thjesht ka luksin të zgjedhë cilët deputetë do të nënshkruanin formalisht aktin.

Një person politik dhe institucional nuk mund t’i drejtojë kërkesë vetvetes, sidomos në një akt të tillë me vlerë kushtetuese e gjurmë referuese për memorien historike dhe institucionale, ndaj ky paradoks etik e protokollar mund / duhej të evitohej.

Për të shkuar akoma më tej, e njëjta gjë mund të thuhej edhe për nevojën e përzgjedhjes cilësore, evitimit të firmave nënshkruese nga deputetë që janë pjesë direkte/indirekte të listave non grata apo penalizimeve të njohura nga partnerët strategjikë, SHBA dhe BE.

Juristët që këshillojnë praktikën në raste të tillë, këshilltarët e grupit dhe të Kuvendit që hartojnë dokumentet dhe politikanët që ende kanë njohuri mbi shtetin dhe praktikat e mira institucionale, do të duhet të këshillonin eprorët e tyre dhe të evitonin dokumente të tilla, duke menduar edhe për solemnitetin dhe seriozitetin e procesit, vendimmarrjes dhe aktit kushtetues me vlerë historike.