Mbrëmjen e djeshme Jubileu i Patintë i madhërisë së saj Mbretëreshës së Britanisë së Madhe Elisabet II u festua edhe në Tiranë, në një pritje të posaçme të organizuar nga ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në vendin tonë.
E gjithë elita politike e Tiranë ishte e ftuar në këtë pritje, ndërkohë që u vu re vetëm mungesa e ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili nuk kishte marrë një ftesë.
Të pranishëm ishin Presidenti Ilir Meta, ish-kryetari i PD-së Lulzim Basha, drejtuesi i grupit parlamentar Alibeaj, kryetarja e LSI Monika Kryemadhi, kryetari i grupit të PS Taulant Balla, ndërsa nga Komisioni i Rithemelimit u pa vetëm Ivi Kaso.
Nën tingujt e muzikës britanike, politikanët tanë kanë lënë pas përplasjet politike dhe nga pamjet e siguruara nga mediat pamë takime të përzemërta mes tyre.
Një përshëndetje mes Kryemadhit dhe Ballës, një përqafim mes presidentit Meta dhe presidentit të ri të zgjedhur Bajram Begaj ishin disa nga momentet e kapura.
Nga pamjet të gjithë janë parë të lumtur duke harruar kështu akuzat e bëra ndaj njëri-tjetrit përgjatë gjithë kësaj kohe dhe kallëzimet në SPAK.
Kujtojmë se ditën e djeshme ish-deputeti Halit Valter dorëzoi në SPAK një kallëzim për presidentin Meta, për të cilin tha se disponon dokumeta shumë të sigurta për shkeljet e rënda që presidenti ka bërë sipas tij.
Mirëpo, ky kallëzim si duket nuk e ka shqetësuar aspak presidentin, i cili mbrëmjen e djeshme ka harruar SPAK-un dhe ka shijuar mbrëmjen.