Lezha është përfshirë mesditën e sotme nga reshje shiu, të cilat i kanë kthyer rrugët e qytetit në “gjol”, ndërkohë që në plazhin e Shëngjinit pushuesit kanë marrë çantat dhe janë larguar.

Siç shihet dhe nga pamjet, intensiteti i reshjeve ka qenë i lartë, aq sa në Shëngjin, Kune dhe në qendër të Lezhës ujërat e zeza kanë dalë në sipërfaqe. Punonjësit e Bashkisë kanë dalë menjëherë në terren duke ndërhyrë në evadimin e pusetave.

Kjo problematike është e vazhdueshme kur ka reshje shiu me intensitet të lartë pasi kanalizimet nuk e përballojnë nivelin e prurjeve. Reshje shiu kanë përfshirë prej mesditës Tiranën dhe qytetet e tjera të vendit.

Pushuesit kanë vrapuar të largohen nga shezlongët dhe janë futur në hotelet ku kanë prenotuar për të kaluar këto ditë të nxehta të verës që sapo ka nisur dhe zyrtarisht.