Një ditë pasi u mbajt në Ohër Samiti i Ballkanit të Hapur, ka reaguar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili nuk pranon që t’i bashkohet kësaj nisme, pavarësisht ftesës që i është bërë herë pas here.
Kurti është shprehur se se për të pasur “Ballkan të Hapur”, Serbia duhet të hapet ndaj Kosovës. Kreu i Qeverisë se Kosovës tha se gatishmëria për bashkëpunim rajonal shprehet me mbështetjen për Procesin e Berlinit dhe angazhimin për tregun e përbashkët rajonal.
Nuk besojmë në vetëmjaftueshmërinë e Ballkanit, Ballkani nuk përbëhet vetëm nga 6 shtete në përgjithësi. Ballkani Perëndimor ende i paintegruar në BE, përbehet nga 6 shtete, këto s’mund të trajtohen bashkë, sepse kemi shtete që nuk e kanë dënuar dhe s’kanë vënë sanksione ndaj Rusisë. Ka shtete në Ballkanin Perëndimor që janë në anën e Ukrainës dhe kemi shtete si puna e fqinjit tonë verior që është në anën e Federatës Ruse dhe presidentit despotik të saj. Për të pasur ‘Ballkan të Hapur’, është Serbia ajo që duhet të hapet ndaj Kosovës.
Nëse një qytetar i Kosovës dëshiron të shkojë në Serbi, edhe qoftë për të vizituar të afërmit në Preshevë, Medvegj e Bujanoc, ose për të kaluar transit nëpër atë shtet, nuk i pranohet pasaporta, nëse e tregon kartën e identitetit, ajo merret vetëm për t’i thithur të dhënat biometrike”, tha Kurti.
Kryeministri Kurti vijoi duke thënë se BE-ja është fati i Kosovës, “Evropa kontinenti ynë, dhe për këtë jemi të palëkundur”.
“E mbështesim qëndrimin amerikan se s’mund të ketë ‘Ballkan të Hapur’ të themeluar si iniciativë përderisa s’janë 6 shtete, është mirë një herë të shikohet a janë të 6 shtetet. Të mos e mundojnë as veten e tyre, sepse nuk janë 6 shtetet, nuk ka ‘Ballkan të Hapur”, tha kryeministri.