Ndërron jetë në spitalin e Fierit dhe Fatbardha Lelaj, gruaja e efektivit të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejt, që u përfshi në një aksident rrugor në autostradën Levan-Tepelenë. Numri i viktimave ka shkuar në tre, e po kaq është dhe i personave të plagosur.
Sokrat Lelaj dhe vjehrra e tij Bylyre Salaj kanë ndërruar jetë në vend. Gruaja e policit dhe vajza e Bylyres, 53 vjeçarja Fatbardha Lelaj është dërguar me urgjencë në spital, në gjendje të rëndë për jetën.
Fatkeqësisht, ajo ka ndërruar jetë pak minuta më parë për shkak të plagëve të shumta. Kështu, të tre personat që udhëtonin me mjetin tip “Ford”, Sokrat Lelaj, vjehrra e tij Bylyre Salaj dhe gruaja Fatbardha Lelaj, kanë ndërruar jetë.
Ndërkohë, në spital ndodhen tre personat e tjerë që udhëtonin me mjetin tjetër tip “Opel Zafria”, dhe këta anëtarë të një familje. Shoferi Gerti Skënderaj ka marrë plagë në gjymtyrët e poshtme dhe është dërguar me karrocë në spitalin e Fierit.
Për mjekim janë dërguar në spital dhe gruaja dhe vajza e tij 6 vjeçe, që ndodheshin në makinë. Të tre të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën.