Edison Pula është një nga tre shqiptarët që tentuan arratisjen nga burgu i Trevisos mëngjesin e të enjtes, 9 qershor. Ndërsa dy shokët e tij nuk ia dolën dhe gardianët i kthyen sërish në qeli, 27-vjeçari Pula tani është në kërkim.
Ai ka qenë anëtar i bandës së Niklës, i akuzuar për atentatin me eksploziv ndaj Gentjan Bejtjes në Larushk dhe për një sërë veprash të tjera penale.
Ishte vetëm 22 vjeç kur në një mbrëmje do të përleshej me policët e Komisariatit të Fushë-Krujës më 22 dhjetor të vitit 2016, do të kalonte murin rrethues dhe do të zhdukej deri kur ra në prangat e policisë në Itali në shkurt të 2022.
Në kohën e arratisjes, Policia e Shtetit bëri me dije se kishte mbyllur kufijtë dhe ishte e sigurt që i arratisuri nuk mund të arratisej jashtë vendi, por kjo nuk kishte ndodhur.
Edison Pulaj, i vënë nën akuza të rënda kriminale, pasi emrin e tij e lidhnin me një atentat me C4 ndaj një efektivi Policie, u largua për të mos u arrestuar më nga Policia jonë. Ai u vendos në Itali, nga ku mësohet se kishte nisur aktivitetin kriminal në fushën e grabitjeve, dhe Italia e ka arrestuar, por për llogari të saj.
Prej më shumë se 5 vitesh, Edison Pula duket se ka jetuar i qetë në Itali, ku edhe kishte vazhduar me “profesionin” e tij për të rënë në pranga gjatë një mbrëmje shkurti të këtij viti.
Pula u arrestua së bashku me një shqiptar tjetër, Imer Masha, edhe ky nga zona e Fushë-Krujës.
Kur Policia italiane ka verifikuar të dhënat e tyre biometrike, kanë zbuluar se i arrestuari ishte një person i rrezikshëm, i dënuar me 20 vite burg për një atentat me eksploziv ndaj ish-policit Gentjan Bejtja, ngjarje e ndodhur në Larushk dhe ku ishpolici ngeli i plagosur.
I DËNUARI
Edison Pula ishte anëtar i bandës së Niklës, i akuzuar për atentatin me eksploziv ndaj Gentjan Bejtjes në Larushk dhe për një sërë veprash të tjera penale. Edhe pse i prangosur dhe nën masa të rrepta sigurie, 21-vjeçari në momentin që zbriti nga furgoni, mundi t’u shpëtojë policëve. Ai ka kapërcyer murin rrethues, duke u larguar në drejtim të paditur.
Arratisja ndodhi gjatë kohës së transferimit të tij nga stacioni i Policisë së Fushë-Krujës në të Krujës. Uniformat blu ngritën postblloqe në rrugët kryesore dhe në të gjithë zonën, për të kapur 21-vjeçarin. Burime nga Policia bëjnë të ditur se dy policët që e shoqëronin u treguan të pakujdesshëm dhe janë ndaluar me pas nga kolegët e tyre.
Mbi Edison Pulën rëndojnë disa vepra penale, si “Vrasje me paramendim e ngelur në tentativë”, “Shkatërrim i pronës me eksploziv”, “Vjedhje me dhunë” dhe “Prodhim dhe mbajtje e armëve dhe municioneve luftarake”. Pula u prangos në 21 dhjetor së bashku me 8 anëtarë të tjerë të së njëjtës bandë.
Sipas Policisë, ai është pjesëtar i grupit kriminal që organizoi atentatin ndaj Gentjan Bejtjes në fshatin Larushk të Krujës, atentat që Bejtja i shpëtoi, por më vonë ai vetë u bë objekt i një sërë akuzash. Emri i tij doli në skenë edhe pak javë më parë teksa iu bë një tjetër atentat në zonën e Niklës, por ai sërish mundi të shpëtonte.
ARRATIA
Edison Pula arriti të arratisej mjaft lehtë nga ambientet e Policisë në 2016 dhe për këtë arsye, grupi hetimor ngriti dyshime se i riu mund të ishte ndihmuar nga policët që e shoqëronin.
“Kemi arsye të forta të mendojmë se dy efektivat e patrullës dhe shefi i tyre kanë bashkëpunuar me Edison Pulën, i cili u arrestua pak orë më parë me tetë persona të tjerë në një superaksion policor. Na rezulton se Pula ka mundur të arratiset mjaft lehtë, nëpërmjet derës kryesore që ishte e hapur, pasi u fut furgoni me të cilin transportohej i arrestuari me disa precedentë penalë”, bëri të ditur Policia asokohe.
Mësohet se dy efektivët e mohuan implikimin dhe theksuan se janë gjendur në befasi pasi nuk e mendonin se i arrestuari do t’u arratisej.
“Ishim futur në ambientet e brendshme të komisariatit dhe në momentin që do ta zbrisnim nga makina për ta futur në dhomat e izolimit, ai na shtyu dhe u largua me shpejtësi. Tentuam ta kapnim, por kapërceu murin dhe humbi në qytet”, kanë pohuar efektivët.
ATENTATI
Kujtojmë se 35-vjeçari Gentian Bejtjes iu bë atentat në shtator të vitit 2016. Ai ishte duke udhëtuar me mjetin e tij në momentin kur ka shpërthyer eksplozivi dhe ai mori për fat vetëm plagë të lehta.
Ai është dëshmitari i fundit që është gjallë si autor i dyshuar për vjedhjen e makinës që u përdor për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt.
Ishteliruar para një viti nga gjykata ku ne një proces gjykimi akuzohej së bashku me Enver Stafukën për vjedhjen e makinës, e cila u përdor nga personat që ekzekutuan Dritan Lamajn./panorama.al