SHBA shpreson që Serbia nuk do të rinovojë edhe për një dekadë tjetër kontratën për furnizim me gaz nga Rusia, sipas Amos Hochstein, këshilltar i lartë për sigurinë e energjisë në Departamentin e Shtetit, raporton agjencia ruse e lajmeve TASS.
Shtëpia e Bardhë do t’i ofrojë vendit ballkanik një burim alternativ për furnizimin me gaz në të ardhmen e afërt.
Hochstein tha se Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç është i vetëdijshëm për pozicionin e Uashingtonit në lidhje me këtë çështje, duke theksuar se SHBA do të përkrahte aspiratat e vendit për të hyrë në BE nëse Beogradi hedh hapat e duhur.
Zyrtari amerikan tha edhe se ai e kishte diskutuar këtë çështje me liderin serb, duke shtuar se administrata Biden beson se Vuçiç do të jetë i matur e nuk do të mbështetet vetëm te Rusia.
Sipas Hochstein, SHBA po punon në rajon për të zhvilluar infrastruktura alternative për furnizim me gaz, përfshirë terminalet e gazit natyror të lëngshëm në Shqipëri e Greqi.
Ai e paralajmëroi qeverinë serbe kundër marrjes së vendimeve të nxituara, duke thënë se SHBA do t’i ofronte burime alternative brenda dy muajve.
Në maj, Vuçiç ra dakord për një kontratë të re trevjeçare me Moskën gjatë bisedave telefonike me presidentin rus Vladimir Putin. Marrëveshja e mëparshme, e cila u arrit në nëntor dhe i lejonte blerjen e gazit rus me 270 dollarë për metër kub, skadoi më 31 maj.
Serbia e importon pothuajse të gjithë gazin nga Rusia, megjithëse prodhimi i brendshëm i mbulon rreth 15% të nevojave.
Pavarësisht presionit në rritje nga Brukseli, qeveria serbe ka refuzuar të bashkohet me sanksionet kundër Rusisë për shkak të sulmit në Ukrainë, duke zgjedhur të ruante lidhjet me Moskën.