Pjerin Brushtulli është 48 vjeçari që ka mbetur i plagosur mbrëmjen e djeshme në afërsi të një resorti luksoz në zonën e Velipojës, shkruan newsbomb.al. Ai ka marrë plagë nga armë zjarri në bark dhe është dërguar me urgjencë në spitalin e Shkodrës.

I plagosuri kishte vetëm pak kohë që kishte dalë nga burgu dhe pista kryesore ku janë fokusuar hetuesit është ajo e hakmarrjes, pasi 48 vjeçari vite më parë ka vrarë një person tjetër, në fshatin Bërdicë, Shkodër.

Deri tani Blutë e Shkodrës nuk kanë ende një emër të autorit/ve dhe as vendin e saktë se ku ka ndodhur ngjarja. Ka qenë vetë Pjerin Brushtulli ai që ka njoftuar ambulancën dhe menjëherë ka shkuar me urgjencë në spital.

48 vjeçari është futur në operacion, në gjendje të rëndë për jetën, pasi plumbi e kishte marrë në bark dhe mund t’i ketë prekur organet jetësore. Ai nuk është ende në gjendje të flasë, edhe kur kanë kaluar më shumë se 12 orë nga ngjarja që ngriti në këmbë Policinë.

Kjo e ka vështirësuar dhe më tepër punën e grupit hetimor, pasi nuk kanë një vendndodhje të saktë të plagosjes dhe as një dëshmi paraprake të Pjerin Brushtullit, nëse ai ka mundur të dallojë personin që e ka qëlluar me armë zjarri.

Në vitin 2002 ky shtetas ka qëlluar me dashje me armë zjarri në drejtim të Kolec Nushit dhe për pasojë ai ka ndërruar jetë. Gjashtë vite pas vrasjes, në maj 2008, Pjerin Brushtulli është arrestuar nga Policia, pasi togat e zeza e kishin dënuar me 15 vite burg, në mungesë.