Martin Çeço 26 vjeç u mbyt me litar dhe trupi i tij u hodh në rezervuarin e fshatit Kolanec të Maliqit. Tre persona janë arrestuar për këtë ngjarje, Valter Mollaj, Edlir Mollaj dhe Bleti Angjo, të cilët u lanë në arrest me burg nga Gjykata e Korçës një ditë më parë. Shkak i ngjarjes dyshohet të ketë qenë një vajzë, e cila mesa duket ka qenë e lidhur me një prej autorëve të dyshuar, Valter Mollajn. Kjo është pista ku po heton policia.
Por si ka nisur historia e njohjes me këtë vajzë?
Babai i Martinit, në një intervistë për emisionin Uniko nga Spartak Koka në Klan Plus, ka treguar momentet e para se si djali i tij u njoh me vajzën në fjalë.
Ajo punon në një byrektore në qytetin e Korçës dhe aty djali i tij e ka parë për herë të parë kur ka qenë me një shokun e tij nga fshati Kolanec.
Nevzat Çeço: Qante 4-5 ditë. Po pse qan? Unë nuk do t’i shkruaj më, kjo më shkruan vjersha. I bënte për të vrarë.
Spartak Koka: Si për të vrarë?
Nevzat Çeço: Dilnin ato varret…
Spartak Koka: Kush është kjo vajza? Si e ka emrin?
Nevzat Çeço: Tina Pajollari.
Spartak Koka: Si e ka njohur djali këtë vajzë?
Nevzat Çeço: Hëngri byrekë në Korçë (Vajza punonte në byrektore). Edhe i tha atij të fshatit që unë e pëlqej këtë çupën. Mua më pëlqeu tha. Shkuan në Goskovë. Aty jetonte babai i saj. Këtë e gjetën jashtë. I thanë të atit. Ky fshatari jonë i thotë që pëlqeu çupën tënde. Shumë mirë tha i ati, s’ka ndonjë. Po unë çupën e kam me shkollë tha, ajo po të dojë vetë mirë. Po unë çupën time nuk e jap në Kolanec, tha, po deshi ajo le ta marri. Vajti djali një ditë pastaj atje. Ajo ia preu. Nuk do marr gjë i tha. Ik, i tha, po s’ke për të marrë gjë. Uli kokën djali, iku me turp.
Një ditë isha me djalin unë (te dyqani i byrektores), mirëpo djali nuk hyri. Kjo më erdhi mua dhe më tha xhaxhi çfarë do. Unë mbeta, më vinte të qaja sikur e kisha evlatin tim. Erdhi solli byreçkën ajo, Martini ishte përjashta. Kjo i tha pronarit, ik shikoje e ka djalin jashtë. Doli jashtë, e pa djalin. Djalin e ke këtu, më tha ky pronari. Do marrim ca gjëra, i thashë unë, edhe pastaj do ikim. Edhe vajti se çfarë i tha kësaj në banak. Kontaktet i mbajti fshehurazi djalit. Kjo hapte Instagrame të tjera, të fshehta. Këtij tani i vinte inat, qante pse s’pranon të lidhet.
Babai i Martinit ka treguar më tej se djali i tij kërkonte të lidhej me vajzën që kishte njohur, e quajtur Martina ose shkurt Tina, por kjo e fundit nuk pranonte ta takonte por vetëm fliste fshehurazi me të në telefon.
Një ditë, pasi mbylli telefonatën me Tinën, Martinin e telefonon një person dhe e kërcënon duke i thënë se do “t’i fuste 7 plumba”. Kështu tregon babai i Martinit, i cili shprehet se e ka dëgjuar vetë këtë bisedë nga telefoni i djalit. Madje ai thotë se edhe vetë u kërcënua me vrasje nga i njëjti person.
Ai tregon se ky person duket të ketë qenë i dashuri i vajzës me të cilën fliste djali i tij.
Nevzat Çeço: Ndenji 3 muaj djali i dergjur. Sa herë vija unë vetëm qante.
Spartak Koka: Çfarë i dërgonte?
Nevzat Çeço: I dërgonte vjersha vdekje, të më urosh të më kujtosh…
Nevzat Çeço: Ajo po të donte dilte ballë për ballë, siç ndodhi atë natë.
Spartak Koka: Çfarë ka ndodhur natën e fundit? Martini ka mbajtur kontakte të fshehta, ajo i shkruante nga adresa të tjera?
Nevzat Çeço: Natën e fundit ndodhi kështu… Vajta unë e qante. E mbushi celularin me lot. E mori ajo në telefon, jo me kamera, me zë. Po unë të kam shpirt, e të kam kështu. Edhe unë xhan të kam, i tha djali, po atë ditë pse më refuzove? Më fal, tha ajo. E mirë, tha ky, s’ka gjë, por të paktën mos përsëriten më këto. Nuk do marrësh në telefon në darkë, i tha kjo, se kam familje. Do të marr, tha ky. Për atë Perëndi mos më merr, i tha ajo.
Spartak Koka: Ti po e dëgjoje këtë bisedë?
Nevzat Çeço: Po, ngjitur ishim me djalin. Pse mos të të marr, i thoshte djali, unë të kam të dashurën time, të marr kur të dua. Për atë Zot mos më merr, i thoshte ajo.
Spartak Koka: Si u zgjidh ky diskutim?
Nevzat Çeço: E mirë, i tha Martini. Bëj be për Zotin dhe për kokën e babit, i tha ajo. Mirë i tha nuk të marr. Do të marr unë i tha. Të vi nesër të pimë kafe në mëngjes? Të vish nga unë të pish kafe? Ti s’ke shanse, i tha kjo. Lere i thashë djalit, kur ta tha këtë lere. Mbaroi kjo punë. Sa e la djali celularin, bie prapë. Kam qejf të pi një kafe me ty, tha.
Spartak Koka: Kush ishte në telefon?
Nevzat Çeço: Nuk e di, një djalë ishte.
Spartak Koka: Çfarë i tha? E njihte Martini këtë person?
Nevzat Çeço: Fare s’e njihte. Do pimë një kafe, i tha, të njihemi bashkë. Mirë tha djali, edhe unë kam qejf të njihemi. Djali vari buzët. I vare buzët, tha. Edhe filloi të sharat pastaj.
Spartak Koka: Po pse e shante? Se kishte folur me Tinën?
Nevzat Çeço: Mesa tha policia, këtë e ka dashnore.
Spartak Koka: Ky personi tjetër e kishte dashnore Tinën?
Nevzat Çeço: Po.
Spartak Koka: Dhe merrte djalin tënd për ta kërcënuar?
Nevzat Çeço: Po. Dëgjo këtu, i tha. Unë do marr një thikë, do të lë kockë e lëkurë, tha, e 7 plumba do t’i fut në ballë, i tha.
Spartak Koka: I tha ky personi?
Nevzat Çeço: I tha ky personi.
Spartak Koka: Ti po e dëgjoje?
Nevzat Çeço: Po e dëgjoja. Ja mora celularin djalit e të them të drejtën e kam sharë rëndë. Rri ti, tha, se ti një plumb do. Yt bir do 7, tha, ti një do. Babi, tha, kaq e pati puna ime. Do më vrasin mua, tha./tvklan