Në një intervistë dhënë së fundmi në televizionin FACE të Sarajevës, presidenti i Lidhjes së Social Demokratëve të Vojvodinës, Nenad Čanak, deklaroi se “Rusia synon vrasjen e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç”, si dhe “nisjen e një konflikti të ri në Ballkan”.
Kjo sipas tij pasi ai “nuk është aleat i besueshëm i Kremlinit”, shkruan “Danas”.
Čanak po ashtu ka hedhur akuza të rënda në drejtim të anëtarit të Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Milorad Dodik. Sipas tij, “Putini e ka autorizuar Dodikun që t’i bëjë presion Vuçiçit për të mos i vendosur sanksione Rusisë”, për shkak të sulmit rus në Ukrainë.
Shpirt i shitur” e “njeri imoral”, e ka cilësuar ai Dodikun. Perëndimi ka kërkuar nga Beogradi që t’i vendosë sanksione Rusisë për shkak të agresionit në Ukrainë.
Serbia e Vuçiçit nuk e ka bërë këtë, megjithatë i ka dalë në mbrojtje Ukrainës për mbrojtjen e sovranitetin territorial.