Tre turistë të huaj të cilët po lundronin me mjet lundrues “Kayak” në Dhërmi ishin në rrezik serioz për jetën.
Ata janë shpëtuar nga Policia Kufitare e Dhërmiut në bashkëpunim me dy qytetarë të tjerë, të cilët u erdhën në ndihmë me mjetet e tyre lundruese.
Mësohet se tre turistët çekë, një çift bashkëshortësh dhe vajza e tyre, tashmë janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Njoftimi i Policisë së Dhërmiut:
Policia Kufitare në Dhërmi, pas marrjes së njoftimit nga Salla Operative në DVP Vlorë, se në Palasë, Dhërmi, tre turist të huaj të cilët ishin duke lundruar në det me 1 mjet lundrues ‘Kayak’, po rrezikoheshin dhe e kishin të pamundur të ktheheshin në breg, për shkak të rrymave të forta dhe dallgëve të detit, menjëherë kanë nisur kërkimet.
Pas 1 orë kërkimesh, falë bashkëpunimit të punonjësve të policisë kufitare me 2 mjete lundruese private, 1 jetski dhe 1 gomone, është bërë e mundur konstatimi i mjetit lundrues ‘Kayak’ dhe shpëtimi i sigurt i personave.
Tre turistët e huaj Çekë (dy bashkëshortët dhe vajza e tyre), nuk kanë probleme dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Policia e Vlorës është e angazhuar maksimalisht në shërbim të qytetarëve, vizitorëve dhe turistëve duke krijuar një ambient sa më të sigurt dhe në këtë kuadër fton qytetarët të denoncojnë në 112 dhe në Komisariatin Dixhital çdo rast të paligjshmërisë.