“Është çelësi i qëndrueshmërisë së kontinentit europian”

Hapja e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut i shërben qëndrueshmërisë së të gjithë kontinetit europian. Kështu thuhet në një deklaratë të përbashkët të Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken dhe Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Europian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell.

“Në këtë moment kritik të historisë europiane, të shënuar nga agresioni i pajustifikueshëm i kryer nga Rusia kundër Ukrainës, avancimi i rrugës së Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian është çelësi për forcimin e kohezionit dhe qëndrueshmërisë së të gjithë kontinentit europian.”

Në deklaratë nënvizohet se Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës mirëpresin një propozim kompromisi që merr parasysh interesat dhe shqetësimet e Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë bazuar në respektin, besimin dhe mirëkuptimin reciprok.

“Vendimi sovran i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut do të jetë i rëndësishëm për të ecur përpara. Kjo frymë e kompromisit konstruktiv mbi të cilin është ndërtuar integrimi evropian duhet të vazhdojë të frymëzojë të gjithë ata që janë përfshirë në këtë proces historik”.

Dy kryediplomatët thonë në deklaratën e e tyre se Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për bashkëpunim më të ngushtë në Ballkanin Perëndimor, pasi sigurimi i stabilitetit dhe prosperitetit dhe realizimi i së ardhmes së tyre evropiane dhe euroatlantike mbetet qëllimi ynë i përbashkët.